Policia dhe SHISH, si "Lulëkuqet mbi mure", fshijnë gjatë natës parullat çetnike.
Në mure, edhe parulla e famshme e katër "C"-ve (Samo Sllobo Spasiti Serbje)
Përmbajtja e parullave shkruar me germa cirilike, zbulohet nga një grup vizitorësh nga Prizreni. Policia: Të merret SHISH-i
KUKËS -Rrugët e Kukësit mbushen me simbole çetnike serbe, ndërkohë që Policisë vendore dhe Shërbimit Informativ Shtetëror i kanë mbetur në dorë furçat dhe boja për fshirjen e këtyre parullave. Ka rreth tre ditë që një nga rrugët që mban emrin e patriotit "Ramadan Zaskoci", pjesëmarrës në luftërat kundër serbëve, si dhe muret e ndërtesës së Turizmit të Ri janë mbushur me parulla dhe emblema të ndryshme, të përdorura nga forcat çetnike të kriminelit Arkan gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviçit.
***
Një nga parullat e shkruara me prajt, është edhe ajo e simbolit të katër C-ve (Samo Sllobo Spasiti Serbje). Ndërkohë që qytetarët kuksianë që shëtisnin mbrëmjeve përgjatë kësaj rruge nuk kanë ditur të deshifrojnë parullat çetnike, ka qenë një grup vizitorësh nga qyteti i Prizrenit, të cilët kishin ardhur në Kukës, që kanë zbuluar përmbajtjen e këtyre parullave, ku shumica prej tyre ishte e shkruar në alfabetin cirilik. Qytetarët prizrenas, të cilët njihnin mirë gjuhën serbe, por edhe simbolet çetnike, kanë shprehur shqetësimin e tyre për parullat e shkruara dhe u kanë kërkuar shoqëruesve vendas të njoftojnë policinë. Pas denoncimit në polici nga qytetarët prizrenas, forca të Policisë së Kukësit, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe punonjësit e Bashkisë gjatë gjithë natës janë marrë me fshirjen e parullave çetnike serbe, ku kujdesin më të madh e kishin treguar në fshirje e parullës së simboleve të katër "C"-ve. Ngjarjet e natës duke u gdhirë e hëna, u kanë kujtuar qytetarëve filmin "Lulëkuqet mbi mure" me protagonist aktorin e madh, të ndjerin Kadri Roshi, ku nxënësit e Strehës Vorfnore të Tiranës, fshinin parullat antifashiste.
***
Qytetarët prizrenas kanë shpjeguar se të njëjtat simbole i kanë parë të shkruara në muret dhe shtëpitë e tyre pas kthimit në Kosovë, në verën e vitit 1999. Përveç simbolit të katër "C"-ve, dhe parullave të tjera me përmbajtje nacionaliste serbe, janë pikturuar edhe simbolet e mbretërisë së Serbisë. Policia e Kukësit i "ka larë duart" lidhur me këtë ngjarje, duke pohuar se këto ngjarje janë subjekt i hetimeve nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në ditët kur në rrugët e Kukësit janë shfaqur simbolet çetnike serbe, "Hackers"-at serbë kanë sulmuar Web-in e Postës Shqiptare. Ndërkohë që këto ditë, si për koincidencë, Radio Publike e Kukësit, filial i Radio Televizionit Publik Shqiptar, ka filluar për herë të parë, 50 vjet pas krijimit, të transmetojë muzikë serbe. Parullat çetnike serbe bëhen në një kohë kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, ndërkohë që në Serbi janë mbajtur zgjedhjet, ku nacionalistët e Sheshelit kërkojnë të formojnë qeverinë me DSS-në e Koshtunicës dhe socialistët e Ivica Daciçit, pasardhësit të Millosheviçit. Të gjitha forcat politike, me përjashtim të liberalëve të Çedomir Jovanoviçit, e quajnë Kosovën pjesë të Serbisë, madje disa prej tyre edhe djep të këtij vendi.
Goranët në Kukës
Në rajonin e Kukësit jeton një komunitet goranësh, ku shumica prej tyre janë të vendosur në fshatrat buzë kufirit me Kosovën, pikërisht me komunën e Dragashit. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë të vendosur edhe në qytetin e Kukësit. Ndryshe nga bashkëkombësit e tyre në Kosovë, goranët në Shqipëri janë deklaruar si shqiptarë pa asnjë mëdyshje në kohën e sundimit komunist në Shqipëri. Por me ndryshimet demokratike të ndodhura pas viteve '90-të edhe goranët e Kukësit kanë kërkuar njëfarë autonomie kulturore, por kjo kërkesë e tyre nuk është realizuar, pasi pjesa që kërkonte këtë lloj autonomie ishte minorancë. Por, herë pas here, të ashtuquajtur liderë të këtij komuniteti, në publikimet e tyre, e kanë paraqitur veten herë si maqedonas, herë si bullgarë, apo si muslimano-boshnjakë, por asnjëherë si serbë. Por ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Gert Ahrens gjatë një vizite të realizuar në komunën e Shishtavecit, i ka quajtur edhe goranët e Shqipërisë minoritet. Kjo deklaratë e ish-ambasadorit Ahrens, hasi asokohe reagimet e banorëve të kësaj zone, të cilët e kundërshtuan atë. Ndryshe ndodh në Kosovë, ku shumë fshatra gorane, nuk janë integruar në zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë pas vitit 1999. Shumë prej këtyre fshatrave vazhdojnë t'i shkollojnë fëmijët në gjuhën serbe. Në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit në Serbi, ministri për Kosovë, Sllobodan Samargjiç, përfaqësues i DSS-së së Koshtunicës është ngjitur deri në Dragash, kufi me Shqipërinë, për t'u bërë thirrje goranëve të kësaj komune, që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për partinë e tij, DSS.