Shtune, 04 Korrik 2009 15:56:17

Lexoni versionin Print

Bollano në gjyq, hoqi për tabelat në shqip

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, do të ulet në bankën e të akuzuarit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve disamujore, dërgoi në gjykatë në cilësinë e të pandehurit Bollanon, duke e akuzuar si përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese nëpër rrugët e bregdetit.

Flamur Vezaj
Enjte, 29 Maj 2008 08:19:00

 

Gati procesi i parë gjyqësor kundër Bollanos. Urdhëroi policinë bashkiake të hiqte tabelat rrugore nga Qeparoi në Qafë-Llogara

Kryebashkiaku akuzohet për 21 milionë lekë dëm, nga heqja e tabelave, për t’i zëvendësuar ato në gjuhën greke

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, do të ulet në bankën e të akuzuarit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve disamujore, dërgoi në gjykatë në cilësinë e të pandehurit Bollanon, duke e akuzuar si përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese nëpër rrugët e bregdetit. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Vlorës, konfirmuan dje për “Shekullin” se kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është marrë i pandehur nga prokuroria për heqjen e sinjalistikës rrugore nga fshati Qeparo deri në Qafë- Llogara. “Pas mbarimit të fazës hetimore nga prokuroria e Vlorës, këta të fundit kanë sjellë në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dosjen penale me të pandehur kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Me depozitimin e kësaj çështjeje, kryesekretari në bashkëpunim me kancelarin e gjykatës e kanë hedhur në short elektronik dosjen, e cila i ka rënë për gjykim treshes së kryesuar nga Shkëlzen Selimi”,-thuhet nga burimet pranë kësaj gjykate.

***

Shkak për hetimin e Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogara. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, rezulton se i pandehuri Bollano është marrë në pyetje në lidhje me këto shkelje, duke mbajtur qëndrim pohues, me pretendimin se në tabelat dhe sinjalistikën e rrugëve, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruhen edhe në greqisht, pasi sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë.

***

Nga këto burime është konfirmuar se heqja e këtyre tabelave ka filluar dhe mbaruar brenda pak ditësh në muajin dhjetor, duke krijuar edhe kaos tek qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë këtë zonë bregdetare të jugut. “Për të vërtetuar para gjykatës këtë akuzë të ngritur në ngarkim të të pandehurit Vasil Bollano, prokuroria e Vlorës, përveç materialeve shkresore si urdhri i lëshuar nga vetë kryetari i Bashkisë me vulën dhe firmën e tij për heqjen e sinjalistikës rrugore, janë marrë edhe dëshmi të punonjësve të policisë bashkiake, të cilët pohojnë se i kanë hequr me urdhër të kryetarit të tyre”,-thuhet nga burimet e gjykatës. Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, i pandehuri Vasil Bollano me veprimet e tij në heqjen e tabelave rrugore i ka shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 21 milionë lekësh, pasi tenderi për vendosjen e sinjalistikës rrugore kishte përfunduar vetëm pak muaj para heqjes së tyre me dhunë nga policët bashkiakë të Himarës.

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 58)

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësi i ngarkuar me funksion shtetëror ose me shërbim publik, kur i kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve ose shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet

Vasil Bollano shfrytëzoi kohën kur një pjesë e madhe e anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk ndodhej në Himarë

----------------------------

Si u miratua urdhri absurd për
heqjen e tabelave nga rrugët

TIRANË- Shumë çudira janë dëgjuar deri me sot nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, por heqja e tabelave rrugore, për t’i zëvendësuar ato me të tjera në gjuhën greke, pritet ta përballë për herë të parë me drejtësinë. “Kupa” u mbush dhe u derdh kur kryebashkiaku i Himarës kaloi nga fjalët tek veprat, duke urdhëruar policinë bashkiake të hiqte me dhunë çdo tabelë rrugore, të vendosur nga Qeparoi deri në Qafë-Llogara. Me pretendimin e kahershëm se kjo zonë i përket minoritetit grek, Bollano ka tentuar të zevendësojë tabelat e sapovendosura me të tjera, ku përveç gjuhës shqip dhe anglisht, të ishte edhe ajo greqisht, kërkesë kjo që iu rrëzua disa herë nga Prefektura e Vlorës. Në janar të vitit 2008, Bollano nuk priti miratim, por e bëri fakt të kryer qëllimin e tij për të kthyer me çdo kusht në zonë minoritare pjesën më të bukur të bregdetit shqiptar.

***

Përpjekjet e Bollanos për tabelat në gjuhën greke kanë filluar që në vitin 2007. Vendimi u mor në Këshillin Bashkiak të Himarës, duke shfrytëzuar kohën kur një pjesë e anëtarëve nuk ndodhej aty. Më pas, këtë vendim Bollano ia ka dërguar prefektit të asaj kohe për miratim, Kreshnik Alimerkos, i cili e ka rrëzuar këtë kërkesë si të kundraligjshme. Megjithatë, Bollano nuk i ka ndalur përpjekjet për të greqizuar Himarën. Në fillim të vitit 2008 ai e ka përsëritur kërkesën, e cila është rrëzuar sërish nga prefektura e Vlorës, me arsyetimin se: " nuk ka pasur bazë ligjore dhe sekjo zonë nuk është minoritet, ashtu siç është një zonë e Gjirokastrës apo zona të tjera në veri”.Por refuzimi i kërkesës nuk e ka ndalur Bollanon. Ai ka urdhëruar policinë bashkiake të shkulë të gjitha tabelat e vendosura në këtë aks rrugor me ndihmën e Bankës Botërore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

***

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku është miratuar heqja e tabelave rrugore, PBDNJ ka pasur vetëm 6 nga 17 anëtarët, por edhe pse në pakicë, ky grup këshilltarësh ka arritur të miratojë propozimin e kryebashkiakut Bollano për vendosjen e tabelave në greqisht. Bollano ka shfrytëzuar një moment kur disa nga këshilltarët nuk ndodheshin në Himarë dhe ka thirrur një mbledhje të Këshillit Bashkiak. "Kanë bërë mbledhje me 11 veta, sepse ligji e lejon të bëhet mbledhje kur janë më shumë se gjysma e anëtarëve. Nga këta, gjashtë anëtarë kanë qenë të PBDNJ-së dhe kanë arritur të miratojnë me shumicë votash vendimin për tabela në greqisht",-pohuan asokohe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Himarës, të cilët votuan kundër këtij vendimi.


----------------------------------------------------------


Organi i akuzës ka sekuestruar urdhrin e paligjshëm si dhe ka marrë dëshmi të policisë bashkiake

Provat e prokurorisë në gjyqin kundër Bollanos

TIRANË- Në dosjen hetimore me të pandehur Vasil Bollanon, prokuroria ka dërguar si provë në gjykatë urdhrin e lëshuar nga kryebashkiaku, i cili është sekuestruar, dëshmitë e disa banorëve, të cilët kanë parë punonjësit epolicisë bashkiake të Himarësnë heqjen me dhunë të këtyre tabelave, dëshmitë e disa prej punonjësve të policisë bashkiake, të cilët kanë pranuar se i kanë hequr ato në zbatim të urdhrit të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Sipas burimeve nga gjykata, heqja e dhunshme e tabelave kandodhur në dhjetor të vitit 2007, kur pas urdhrit të lëshuar nga kryetari problematik i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, policia bashkiake i ka hedhur për skrap të gjitha tabelat dhe sinjalistikat rrugore me toponimet e emrave të fshatrave nga Qeparoja deri në Qafë Llogara. Sipas kësaj dosjeje, për kryerjen e këtij veprimi prokuroria është e bindur se i pandehuri Bollano me veprimet e tij me dashje ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, që sipas Kodit Penal në rast shpalljeje fajtor për këtë vepër penale rrezikon dënimin me gjobë deri në 7 vite burg, sipas nenit 248 të Kodit Penal ku është parashikuar kjo vepër penale. F.V

REAGIMET E BOLLANOS

AUTONOMIA

Deklarata e kryetarit të Bashkisë së Himarës për shpalljen e autonomisë në këtë zonë shkaktoi shumë debate dhe polemika në vend. Shumë politikanë dhe studiues i kërkuan kryeministrit Berisha të shkarkonte Bollanon nga posti që mban aktualisht

WEB-SITE

Në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës, qëllimisht janë ndryshuar emrat e vendeve dhe banorëve të kësaj zone, për të krijuar perceptimin se himariotët janë minoritarë grekë. Aty është manipuluar historia e Shqipërisë si dhe emrat e heronjve shqiptarë

PROTESTA

Vetëm pak javë më parë, Vasil Bollano i parapriu një turme njerëzish, të cilët sulmuan policinë me gurë si dhe nuk i kursyen thirrjet antishqiptare. Ky sulm ndaj komisariatit ndodhi pas shoqërimit të dy të rinjve nga Himara, nga ana e policisë



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML