Përmirësohet gjendja e 11 të sëmurëve të fshatit Karicë. Analizat zyrtare: Nuk kanë antraks, por helmim ushqimi
=
BURREL- Disa prej të sëmurëve të Burrelit ndodhen ende në spital nën kujdesin e mjekëve edhe pse gjendja e tyre shëndetësore ka pasur disa përmirësime. Ata janë shtruar në spital më shumë se një javë më parë dhe fillimisht u dyshua për antraks. Por analizat më të fundit që janë kryer nga mjekët kanë treguar se fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me sëmundjen e antraksit. Specialistët dhe drejtuesit e drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit kanë saktësuar se helmimi i dy familjeve nga fshati Karicë i rrethit të Matit, ku janë infektuar 11 vetë, është thjesht një helmim gastroenterokolit akut që ka ardhur nga ndenjja gjatë e ushqimit pa u konsumuar nën ndikimin e temperaturave të larta.
***
Përgjegjësi i sektorit veterinar, Rami Gjymishka, ka pohuar dje se personat e shtruar në spitalin e Burrelit nga fshati Karricë i Matit, nuk janë të prekur nga antraksi, por kemi të bëjmë me një rast infeksioni ushqimor.
Për këtë situatë drejtoria e shëndetit publik Mat ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa një ekip mjekësh të inspektoratit veterinar ka shkuar në vend ku është verifikuar gjendja dhe nuk rezulton asnjë dyshim ku mund të flitet për ekzistencën e sëmundjes së antraksit tek të helmatisurit e Karricës. Madje ky fshat nuk ka qenë ndonjëherë vatër antraksi as në gjendje latente dhe as aktive si në disa zona të tjera vite më parë. Më të shqetësuar kanë qenë dhe dy familjet e këtij fshati për të ditur të vërtetën dhe kjo ka bërë që ata të interesohen edhe pranë organeve përkatëse dhe vetë medias, duke apeluar për informim publik të saktë. Nga ana e gazetës u kontaktuan dhe ditën e sotme disa nga personat zyrtarë si të drejtorisë së qarkut dhe zyrës përkatëse në Mat, ashtu dhe me drejtues të drejtorisë së shëndetit publik në Mat, higjienës dhe specialistë të shumtë veterinare, të cilët unanimisht, pas analizave dhe këqyrjeve të bëra në vend si tek ushqimet e servirura në drekën e helmimit ashtu dhe bagëtitë e familjeve në fjalë, nuk rezulton të ketë pasur antraks, por thjesht një helmim toksi-infeksioni ushqimor.
***
Drejtori i shëndetit publik të Matit, Kujtim Kartani, theksoi se është e vërtetë se në spital kanë ardhur 11 vetë nga dy familje të fshatit Karicë, por është vërejtur se nuk kishim të bënim me antraks, por me probleme gastroenterokoliti akute, gjë për të cilënjanë shtruar më 23 qershor. “Për të gjithë ata është filluar mjekimi intensiv me terapinë e duhur nga mjekë specialistë, dhe në një kohë të shkurtër gjendja e pjesës dërmuese ka qenë klinikisht e mirë. Për kontroll të mëtejshëm pas merakut të tyre janë interesuar nga vetë familja për të dërguar katër prej tyre në spitalet e Tiranës. Ndërsa dy prej pjesëtarëve të këtyre familjeve janë mbajtur në spitalin e Burrelit nën një observacion më të kujdesshëm mjekësor pasi paraqitnin më shumë probleme, por tani ata janë në gjendje të përmirësuar”,- thotë Kartani. Sipas tij, në bashkëpunim me shefin e Higjienës dhe Epidemilogjisë, Gani Korsita, dhe specialistin Zylfi Dika, u morën masat e shpejta për të kryer analizat që të përcaktohejshkaku i këtij infektimi, duke kryer koprikulturën, që kanë rezultuar negativ; u analizuan kampione të ujit të pijshëm që dolën negativ si dhe qumështi i përdorur në ushqimet e drekës së asaj dite nga familjet pas punës, i cili rezultoi të ishte me infeksion stafilokoksik. Por ky është tjetër bakter dhe jo ai i antraksit. Edhe specialistë të tjerë të ushqimit ia lënë shkakun pikërisht ndotjes së qumështit, i cili sipas një specialisti në këto temperatura të larta ose duhet mbajtur në frigorifer ose duhet zier në çdo tre orë. Atë ditë, pas punës në arë, janë gatuar një sërë gjellësh me qumësht dhe ushqimi ka ndenjur për një kohë të gjatë në temperatura shumë të larta pa u konsumuar.