Fshati Qerret është më i prekuri nga ndërtimet e shumta që po bëhen në tokën e banorëve. Dhjetëra prej tyre dalin në protesta
KAVAJË- Banorët e fshatit Qerret të Kavajës kanë akuzuar dje kreun e ALUIZNIT, Shaban Memia, dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar se po iu vjedhin tokën duke ndërtuar vetë në plazhin e zonës. Paraditen e djeshme ata kanë dalë në një protestë në zonën e plazhit të fshatit Qerret, aty ku kanë nisur ndërtime të llojeve të ndryshme nga disa firma nga Tirana. Punimet e firmave janë përqendruar deri në gërmime të zonës së rërës, në buzë të ujit si dhe kanë dëmtuar pishat e bregut. Banorët kanë kontestuar ndërtimet që janë duke u ngritur në këtë zonë, pasi sipas tyre, ato synojnë lëvizjen e bizneseve të fshatit dhe ndërtimet e mëdha të komplekseve turistike.
***
Fshati Qerret është pjesë e komunës Golem dhe ai gjendet midis Kavajës dhe Golemit, në buzë të rrugës nacionale Durrës-Rrogozhinë. Fshati ka rreth 200 shtëpi, nga të cilat 50 merren me peshkim, 50 me aktivitetet të vogla shërbimi dhe tregtare, ndërsa pjesa tjetër ka investuar në ndërtimin e banesave me qira për pushuesit që vijnë çdo vit nga Kosova. Banorët janë shprehur se ndodhen aty që në vitin 1926 dhe se tokat e tyre ata i kishin me tapi të rregullta. “Ne nuk do të lejojmë që të shkatërrohen të vetmet burimet jetësore që kemi”,- thanë dje banorët e Qerretit. Ata kërkuan dje që të parandalojnë atë masakër që është bërë në pronën e tyrekëto vite. Si shembull banorët kanë sjellë zonën e njohur si “Mali i Robit”, ku fillimi i ngritjes së fshatrave turistike u shoqërua me bllokimin total të të gjithë vijës së bregut sa që është bërë e vështirë për këdo vendas të pushojë në zonë. Tani edhe rëra është privatizuar thuajse tërësisht dhe askush nuk mund të pushojë pa paguar qiranë e saj. Kjo dukuri e kërcënon edhe bregdetin e mbetur të zonës së fshatit Qerret, ku kanë nisur të ngrihen ndërtime për të cilat banorët akuzojnë shumë pushtetarë. Ata kanë protestuar duke mbajtur parulla dhe pankarta në duar në të cilat shkruhej: “Larg duart nga plazhi ynë”, “Qerreti, jo si Gërdeci” etj.
***
Në lidhje me ndërtimet që kanë filluar të bëhen në këtë zonë banorët kanë akuzuar ministra të kabinetit qeveritar dhe kreun e ALUIZNI, Shaban Memia. Banorët janë shprehur se ndërtimet e fshatrave turistikë po bëhen për llogari të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ministrit të Turizmit, Ylli Pango. Ata u shprehen gjatë protestës se i kanë kërcënuar nëpërmjet policisë ndërtimore duke u shkatërruar disa kioska që t’iu pengojnë aktivitetin. “Mua më kanë dërguar shtatë herë në polici për të më bërë presion, por unë nuk tërhiqem nga të drejtat e mia”,- thotë një prej banorëve. Para disa ditësh fadromat e policisë ndërtimore kanë prishur disa nga kioskat e ngritura në bregdet nga banorët e fshatit Qerret si dhe rrugët që lidhin fshatin me bregdetin. Aksioni në fjalë është cilësuar nga banorët si prapavijë e qartë e ministrave të mësipërm dhe segmenteve me pushtet për t'i hapur rrugë masakrimit të kësaj zone, e cila ende nuk është mbushur nga ndërtime. Në akuzat e banoreve qëndronte edhe shkatërrimi i pamëshirshëm që po u behet pishave shumëvjeçare dhe ndërtimeve deri në buzë të ujit që e bllokon fare vijën bregdetare.
Zaptimi i plazhit largon pushuesit
Zaptimi i plazhit të Qerretit dhe prishja e ekosistemit të tij është bërë edhe shkaku kryesor që këtë vit të vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të pushuesve. Vetë banorët pohojnë se numri i prenotimeve të banesave nga Kosova ka rënë ndjeshëm duke i shteruar edhe burimet ekonomike të zonës së tyre. Në lidhje me problemin në fjalë, kryetari i komunës së Golemit, Agron Agalliu, është shprehur se komuna nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në këtë zonë dhe se toka në të cilën bëhet fjalë është tokë shtetërore. Shumë nga ndërtimet e fshatrave turistikë që janë bërë në zonën nga plazhi i Golemit deri në Karpen janë bërë me lejet e dhëna para shumë vitesh nga Këshilli i Qarkut të Tiranës. E njëjta gjë mund të ketë ndodhur edhe me rastin më të fundit, pasi komuna nuk ka dhënë leje ndërtimi për subjekte të tilla.