“Sali Berisha e krijoi “Hakmarrjen për Drejtësi” se kishte interesa të mëdha. Ato interesa edhe sot janë aq të forta sa në vitin 1996. Atij i përvëlon si patate gjithnjë e nxehtë veçanërisht autobomba e vendosur tek Supermarketi i VEFA-s dhe vrasja e drejtorit të Burgjeve. Zbulimi i së vërtetës për këto ngjarje do t’i sillte pasoja shumë më të mëdha se ngjarja e Gërdecit”
e Përfundon pas 12 vjetësh procesi gjyqësor i “Hakmarrjes për Drejtësi”. Gjykata, vendime më të rrepta se prokuroria
Gjykata e e Krimeve të Rënda dha dënimin maksimal për drejtuesit Orik Shyti dhe Altin Arapi
TIRANË- Procesi 12-vjeçar kundër azilantëve politikë të “Hakmarrjes për Drejtësi” mbyllet me dy burgime të përjetshme dhe 177 vjet burg. Mesditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda është tërhequr për të marrë vendimin kundër 10 anëtarëve të organizatës kriminale, për t’u rikthyer katër orë më vonë me dënime më të rrepta seç kishte kërkuar prokuroria. Altin Arapi dhe Orik Shyti, dy të akuzuarit si drejtuesit e organizatës u dënuan dje me burgim të përjetshëm. Azili politik i fituar prej tyre në Belgjikë dhe në Zvicër, nuk e ka penguar trupin gjykues t’u japë dënimet më të rënda që parashikon legjislacioni ynë, edhe pse ato rrezikojnë të mbeten në letër. Gentian Caka dhe Roland Shyti janë dënuar me nga 25 vjet burg secili, ndërsa të akuzuarit e tjerë kanë marrë dënime disi më të lehta.
***
Sipas prokurorisë, 10 të pandehurit e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, gjatë periudhës 1992 – 1996 kanë kryer 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje. Pas viteve 2000, disa prej anëtarëve akuzohen vetëm për falsifikim dokumentesh. Sipas prokurorëve, 10 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kuadër të organizatës kriminale të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" kanë kryer krime, që nga vrasja, rrëmbimi, vjedhja, plagosja dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare. Sipas konkluzioneve të akuzës, "pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të dëshmive, provave, pyetjen e dëshmitarëve dhe shumë akt-ekspertime dhe procesverbale të këqyrjes së vendngjarjeve kemi arritur në përfundim se të pandehurit i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke i ndarë fitimet në bazë të personave që merrnin pjesë në këto vjedhje".
Ndërkohë, prokurorët kanë arritur të zbulojnë rolet drejtues të kësaj organizatës, që sipas konkluzioneve, janë tre të pandehurit: Altin Arapi, Orik Shyti dhe Gentian Caka, ndaj të cilëve u kërkua nga Gjykata dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.
***
Avokatët mbrojtës, gjatë gjithë këtij procesi të stërgjatë gjyqësor e kanë cilësuar organizatën si një sajesë të politikës. Gjatë konkluzioneve të tyre, kanë kërkuar rrëzimin e akuzave dhe mbylljen e procesit, me pretendimin se klientët e tyre janë të pafajshëm. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka fituar në këtë proces gjyqësor, duke e bindur trupin gjykues se 10 të pandehurit kanë kryer 13 vjedhje, gjatë të cilave kanë përfituar rreth 508 mijë dollarë amerikanë dhe rreth 30 milionë lekë të reja.
17 KRIMET PER TE CILAT AKUZOHET"HAKMARRJA PËR DREJTËSI"
29.01.1993 - Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë
13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë "IAP", ku vidhen rreth 53 mijë dollarë
15.12.1993 - Vritet tek "21 dhjetori" Sami Jata dhe nuk mund t'i vidhen lekët që transportonte
11.08.1994 - Shoqëria "Shkumbin Petrol" grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milionë lekë të reja
12.10.1994 - Grabitet shoqëria "IAP", merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi
13.12.1994 - Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të "Gjallicës". Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milionë lekë.
14.01.1995 - Grabitet argjendaria "Agron", në vlerën 576.377 lekë të reja
20.01.1995 - Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milionë lekë
21.01.1995 - Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore "INSIG", ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie
03.03.1995 - Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë "Butongas", ku i vidhen rreth 430 mijë lekë të reja
12.04.1995 - Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e "VEFA"-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milionë e 500 mijë lekë i grabiten
15.06.1995 - Grabitet fabrika e sfungjerit "Albafon" në Laprakë ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja
31.10.1995 - Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marrë lekët e kërkuara
12.01.1996 - Grabitet filiali i shoqërisë "VEFA" në Vlorë, merren 145 mijë dollarë
18.04.1996 - Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milionë lekë të reja
26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë "VEFA" në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë
26.07.1996 - Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij
PROCESI
Kalvari 12-vjeçar i “Hakmarrjes”
TIRANË- Më 14 tetor 1998, Prokuroria e Përgjithshme e dërgoi zyrtarisht çështjen e organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" në gjykatë, me provat e grumbulluara dhe hetuara që nga viti 1996. Të pandehur e kësaj dosje ishin 11 të pandehur: Orik, Roland dhe Leart Shyti, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj, Kreshnik Spahiu, Gentian Caka, Dritan Hate, Gëzim Gjoni dhe Enkelejd Agaj i cili u vra më 8-janar të vitit 1999 nga persona të paidentifikuar. Pas 190-seancave gjyqësore, ku 100 prej tyre dështuan dhe vetëm rreth 80 të tilla u realizuan, kur kishin kaluar gati tre vjet dhe dy prokurorët e çështjes u arratisën nga Shqipëria, procesi u mbyll. "Gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e 10-të pandehurve, ndaj pushohet çështja"- tha asokohe gjykata. Pas apelimit të vendimit, çështja arriti pranë Gjykatës së Apelit më datë 30-prill të vitit 2003, e cila la në favor vendimin e shkallës së parë. Prokuroria e Apelit bëri rekursin në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, e cila me datën 12-qershor të vitit 2003 vendosi në dhomën e këshillimit që të mos futet në gjykim, por çështja t'i kthehet për rigjykim Shkallës së Parë. Në muajin tetor të vitit 2003, çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pushoi 8 akuza nga 24 të tilla dhe më datën 14-shtator të vitit 2004 e depozitoi çështjen për gjykim në Gjykatën Krimeve të Rënda.
****“Kryeministrin e përvëlon më shumë se Gërdeci, e vërteta për autobombën tek VEFA dhe për vrasjen e Bujar Kaloshit”
Orik Shyti: “Hakmarrjen” e Sali
Berishës do ta çoj në Strasburg
TIRANË- Azilanti politik, i dënuar dje me burgim të përjetshëm, Orik Shyti, ngulmon se “Hakmarrja për Drejtësi” është sajesë e kryeministrit Berisha për të mbuluar autobombën në ish-supermarketin e VEFA-s, por edhe vrasjen e kreut të Burgjeve, Bujar Kaloshi.“Zbulimi i të vërtetës për këto ngjarje do t’i sillte pasoja edhe më të rënda sesa tragjedia e Gërdecit”,-pohon Oriku, vetëm pak orë pas dënimit të tij me burgim të përjetshëm. Duke shprehur haptazi mungesën e besimit tek drejtësia shqiptare, ai pohon se është i detyruar të apelojë, që më pas të ketë mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën e Strasburgut.
Gjykata për Krimet e Rënda, pas një kalvari 12 -vjeçar dha dënime të rrepta për atë që njihet si “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Si e konsideroni ju këtë vendim dhe dënimet e dhëna, kryesisht në mungesë ndaj dhjetë të pandehurve, përfshirë dhe ju?
Unë nuk kam pasur iluzione se do ndodhte ndryshe. Sali Berisha e krijoi “Hakmarrjen për Drejtësi” se kishte interesa të mëdha. Ato interesa edhe sot janë aq të forta sa në vitin 1996. Atij i përvëlon si patate gjithnjë e nxehtë, veçanërisht autobomba e vendosur tek supermarketi i VEFA-s dhe vrasja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi.
Pse mendoni se bëhet fjalë për interesa të forta. Ku e bazoni këtë?
Zbulimi i së vërtetës për këto ngjarje do t’i sillte pasoja shumë më të mëdha se ngjarja e Gërdecit. Prandaj Berisha, vazhdon të kujdeset edhe sot që të mos ketë një mendim ekspertësh për mënyrën e shpërthimit të autobombës, fakt i bërë prezent nga avokati, por që në media nuk ka pasur jehonën që meriton.
Në këtë pikë, cili është mendimi juaj mbi vendimin?A solli argumente të reja Prokuroria për Krime të Rënda, apo ngulmoni ende deklaratën e mëparshme se procesi është politik?
Ajo që më vjen keq për të gjithë ata që po i pushtonte iluzioni se gjykatat në Shqipëri po çlirohen nga tirania e Sali Berishës. Ka të ngjarë që, më shumë se deklaratat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, iluzioni t’u jetë krijuar nga qëndrimi i Saliut, që kohët e fundit nuk e përmendte në publik “Hakmarrjen”.
Vendimi i gjykatës u mbështet sigurisht në pretencën e Prokurorisë për Krime të Rënda. Ku i shihni ju mangësitë?
Ajo që mund të them pas një shikimi të shpejtë mbi 134 faqet e firmosura nga dy prokurorët është: Të krijohet bindja se pretenca është shkruar, jo vetëm në frymën, por edhe duke iu përmbajtur tërësisht emisionit special televiziv “Grahmat e fundit përmes terrorit dhe krimit”, transmetuar më 16 tetor 1996, me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës, tri ditë përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor. Më shumë se mungesa e fantazisë për të thënë ndonjë gjë të re, duket se një hall i madh i ka shtyrë dy prokurorët ta rishkruajnë të njëjtin tekst pas dymbëdhjetë vjetëve.
Vendimi i Shkallës së Parë për Krime të Rënda ju rezervon të drejtën e apelimit. Ju si do të veproni?
Megjithëse nuk besoj se do të ndryshojë vendimi i dhënë, jam i detyruar ta kërkoj pafajësinë në të gjitha shkallët. Sepse pa kaluar ato, çështja nuk mund të gjykohet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Seancat e procesit gjyqësor ndaj jush u vëzhguan direkt edhe nga përfaqësues të OSBE-së. Keni ju sinjale mbi vlerësimet e tyre?
Vetëm një presion i fortë mund ta detyronte prokurorinë që të injorojë provat, të injorojë konkluzionet e njerëzve të OSBE-së që ndoqën gjyqin dy vjet rresht dhe vendimet e gjykatave të huaja, që e kanë cilësuar procesin të falsifikuar për arsye politike. Do të dëshiroja që të ishte e vërtetë ajo që është më pak e besueshme. Do të dëshiroja që guximi i shfaqur në shumë faqe të shkruara për të mbrojtur autorët e vërtetë të shtatëmbëdhjetë krimeve dhe për të mbuluar krimin, që njerëz me emër të përveçëm kanë kryer ndaj nesh, të mos jetë i organit që përfaqëson shtetin, por i ndonjë prokurori të kapur nga banda kriminale që krijoi “Hakmarrjen për Drejtësi”, i cili nuk guxon as ta përmendë, bllokun që përmban platformën e “Hakmarrjes”, pale të guxojë të thotë se kush e shkroi dhe kush e futi në banesën “konspirative”, bashkë me çiften time. Po shpresojmë se ajo që ka ngecur në gardhin e 16 tetorit 1996, është ora e atyre që u duhej të krijonin “Hakmarrjen për Drejtësi”. Unë shpresoj akoma tek morali profesional dhe ai njerëzor.
Marrë nga agjencia NOA