Protagonisti i zinxhirit të hakmarrjeve Barcelonë-Vlorë është në burgjet italiane, në pritje të ekstradimit
TIRANË- Drejtësia shqiptare është në “garë” me atë spanjolle për ekstradimin nga Italia të Sokol Ramës, protagonistit të një zinxhiri hakmarrjesh që nisi në Barcelonë dhe përfundoi në Vlorë e Tiranë. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur për “Shekullin” se javën e ardhshme do të dërgohet në Itali kërkesa për ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë, tek vendi i quajtur Pusi i Mezinit në Vlorë, ku nga atentati mbeti i vrarë Shpëtim Muka e Edvin Shehu, ndërsa u plagos Ervin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të nënës së Sokol Ramës, Leonorës. “Gjykata e Rrethit Vlorë, me vendimin e datës 14 dhjetor 2006, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për shtetasin Sokol Rama, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, në dëm të viktimave Shpëtim Muka e Edvin Shehu, si dhe plagosjen e shtetasit Ervin Zanaj. Me caktimin e masës së sigurisë, emri i shtetasit Sokol Rama është publikuar në faqen zyrtare të Interpolit duke e deklaruar si person të shpallur në kërkim”-thuhet nga prokuroria.
***
Prokuroria e Përgjithshme pretendon se në dosjen shqiptare të Sokol Ramës gjenden provat dhe dëshmitë e personave, të cilët me deklarimet e tyre e kanë përfshirë në vrasjen e dyfishtë të Pusit të Mezinit,nëntorin e vitit 2006. “Dokumentet dhe shkresat zyrtare me prova materiale që përfshijnë shtetasin Sokol Rama janë sjellë në Prokurorinë e Përgjithshme nga Prokuroria e Rrethit Vlorë, të cilat po përgatiten që brenda kësaj jave të dërgohen në Ministrinë e Drejtësisë për përkthim dhe më pas të niset kërkesa drejtuar autoriteteve të drejtësisë italiane për ekstradimin e tij në Shqipëri. Ndërkohë, po këto burime konfirmuan se edhe autoritetet e drejtësisë spanjolle, vetëm pak ditë më parë, kanë dërguar në Itali kërkesën për ekstradimin e shqiptarit Sokol Rama drejt Spanjës.
***
Atentati që nxiti zinxhirin e hakmarrjeve ndodhi më 26 shtator të vitit 2006 në Barcelonë, ku dyshohet se Sokol Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij ekzekutuan Slejdi Zanin. Vetëm dy muaj më pas, vëllai i Zanajt ekzekutoi në mes të Vlorës nënën e Sokol Ramës, Eleonorën, ndërsa hakmarrja vazhdoi me vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Edvin Shehut.“Jemi informuar nga autoritetet italiane se shteti spanjoll ka dërguar në Itali kërkesën për ekstradimin e Sokol Ramës, pasi kanë mbledhur prova për implikimin e tij në vrasjen e dy shqiptarëve në Barcelonë”,-thuhet nga burimet e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa vetëm pak ditë më parë ishin autoritete italiane që për llogari të Interpolit shqiptar arrestuan shtetasin Sokol Rama, arrestimi i të cilit u krye më datë 22 qershor të këtij viti. Në fakt, Rama u arrestua edhe në Spanjë, por drejtësia spanjolle refuzoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke e hetuar në gjendje të lirë. Tashmë pritet që drejtësia italiane të marrë një vendim mes Shqipërisë dhe Spanjës, për të ekstraduar Sokol Ramën.
KRONOLOGJIA
27 shtator 2006
Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në Barcelonë. Sokol Rama mendohet të jetë ekzekutori i Slejdi Zanit, Elidon Nelajt dhe plagosjes së Edmond Rushitajt. Policia e Qarkut Vlorë u njoftua nga kolegët spanjollë për atë që kishte ndodhur. Rama u kap fillimisht nga autoritetet spanjolle për vrasjen e dyfishtë, por më pas, për mungesë provash u la nën masën e detyrim paraqitjes
11 nëntor 2006
Në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës, mbeti e vrarë 47-vjeçarja Leonora Rama. Armando Zanaj u dyshua dhe rezultoi të ishte autori i kësaj vrasjeje. Zanaj u ndalua rreth 3 orë më pas dhe pranoi se ishte ai vrasësi i oficeres së marinës. Policia e Vlorës tha se adoleshenti e kishte qëlluar viktimën me 4 plumba të një pistolete tip TT
30 nëntor 2006
Kanë mbetur të vrarë pranë shtëpisë së tyre në vendin e quajtur Pusi i Mezinit, 41- vjeçar Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Ervin Zanajt, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe u vu në ndjekje të automjetit tip “Benz” të vjedhur, i cili u gjet i braktisur në rrugën Vlorë-Bunavi. I dyshuar për këtë ngjarje është Sokol Rama