Prindërit e një fëmije të dhunuar rrëfejnë tronditjen kur mësuan abuzimet mbi të birin
TIRANË- Varfëria i detyroi të dërgonin djalin e tyre në qendrën “Fëmijët e tij”, por nuk e kishin çuar kurrë nëpër mend se ai do të bëhej pre e dhunës seksuale. Prindërit e një fëmije 7-vjeçar kanë qenë dëshmitarët e radhës në procesin ndaj britanikut David Braun, i akuzuar për veprën penale të "marrëdhënieve seksuale e homoseksuale me të mitur", që është zhvilluar dje në gjykatën e shkallës së parë në kryeqytet. Nëna e fëmijës tregoi përpara trupit gjykues se për shkak të varfërisë kishin vendosur bashkë me burrin që ta çonin djalin e tyre në qendrën e drejtuar nga David Braun. Ata e dërguan fëmijën aty në vitin 2004 dhe mendonin se djali po rritej në kushte të mira. Por kthimi i tij në shtëpi për festën e Shëngjergjit ka tronditur këtë familje të varfër.Ai u ka rrëfyer prindërve se një burrë me emrin Dino e kishte dhunuar e përdhunuar. Të alarmuar të dy prindërit janë paraqitur në qendër, ku kanë kërkuar shpjegime nga drejtuesi i saj. Por drejtuesit, mes të cilëve edhe i akuzuari David Brauni kishin siguruar se fëmija nuk kishte asnjë problem dhe madje ata i kanë drejtuar në një klinikë mjekësore private, emri i së cilës nuk është bërë publik, për të kryer disa analiza.
Pas vizitës së kryer në këtë klinikë mjekët u kanë thënë prindërve se fëmija nuk kishte pësuar asnjë dhunim. Por kjo nuk duket se i ka qetësuar të dy bashkëshortët, të cilët përveç djalit kishin edhe një vajzë. Ndërkohë, po dje, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë u administrua akt-ekspertimi mjeko-ligjor i kryer nga prokuroria në lidhje me pretendimet e impotencës së pretenduar nga i pandehuri Braun. Sipas akt-ekspertimit, i pandehuri është i aftë seksualisht dhe dëshmia e tij është thjesht një alibi e përdorur.Ndërkaq, mbrojtja pretendoi se ky akt-ekspertim i prokurorisë është falsifikuar pasi ekspertimi i tyre në një klinikë private e ka nxjerrë të pandehurin jo të aftë seksualisht. Pas shqyrtimit të këtyre pretendimeve u pranuan në fashikullin e gjykimit, provat e sjella nga akuza.