Pas arrestimit të tre zyrtarëve, përfundon në pranga një tjetër falsifikator pensionesh në kryeqytet
Arrestohet Qemal Caka, merrte 900 mijë lekë për një pension fals. Zbulohen 10 dosje të kundraligjshme
TIRANË- Pensionet false çojnë në pranga një tjetër person në Tiranë. “Qelia e hapur 2” quhet operacioni i policisë që solli arrestimin e41-vjeçarit, i cili lidhi pensione me dokumente false 10 personave. Qemal Caka është arrestuar dy ditë më parë nga antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës, sepse dyshohet se ka pajisur me pensione, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, 10 persona, kundrejt shumës 900 000 lekë të reja për secilin prej tyre. Burime zyrtare nga policia thanë se Caka i ndihmuar nga punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore si dhe persona të tjerë të implikuar, kanë përgatitur kundrejt përfitimit rreth 10 dosje pensionesh, me dokumente të falsifikuara. Veprimet e kundraligjshme mësohet se ai i ka kryer në periudhën kohore të viteve 1998 deri më vitin 2004. Të njëjtat burime shtuan se antikrimi ekonomik-financiar, pas informacioneve të mbërritura rreth një muaj për parë për “aktivitetin’ e 41-vjeçarit nisi menjëherë hetimet. “Pas një hetimi njëmujor u arrit në përfundimin se Qemal Caka, aktivitetin e jashtëligjshëm e kryente kundrejt shumës 900 000 lekë për çdo shtetas, shumë të cilën e përfitonte në vazhdimësi”- thanë burime zyrtare të policisë së Tiranës.
Dy ditë më parë, gjatë një operacioni policor u bë e mundur dhe arrestimi i 41-vjeçarit. Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh shkresore, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Ndaj Cakës u mor masa e arrestit, pasi akuzohet për veprat penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim të dokumenteve” si dhe “falsifikim të akteve të gjendjes civile” të kryera në bashkëpunim. Burimet policore thanë se po punohet për të identifikuar dhe arrestuar bashkëpunëtorët e Cakës në falsifikimin e pensioneve. Ky është operacioni i dytë brenda javës i policisë së Tiranës, kundër pensioneve të falsifikuara. Vetëm pak ditë më parë, në pranga përfunduan ish-drejtori i minierës së Priskës, një ish-deputet dhe një zyrtare tjetër e administratës, pasi kishin pajisur me pensione false mbi 200 persona