Kreu i naftës “tallet” me gratë: Të sakrifikosh një dashuri për një dashuri tjetër ndoshta është pak e tepruar”
BALLSH- Divorci i kërkuar nga gratë që punojnë në sektorin e naftës në Ballsh është pritur me shumë habi nga bashkëshortët e tyre. Gratë e kanë marrë këtë vendim pa u thënë gjë atyre për të shpëtuar vendin e punës pas ultimatumit të vënë nga krerët e uzinës, të cilët u kanë kërkuar ose të mbajnë burrat ose të mbajnë punën. Por dje, drejtori i “naftës” Gramoz Nazëraj ka reaguar ndaj këtij fenomeni duke preferuar që të thumbojë gratë me batutën: Të sakrifikosh një dashuri për një dashuri tjetër, siç është kombinati ndoshta është pak e tepruar...
Tre prej burrave të paditur në gjykatë për divorc janë shprehur se kjo është e vetmja zgjidhje për familjet e tyre. Faslli Hoxha, babai i tre fëmijëve, pohon se gruaja i ka thënë se në kushtet e krijuara, për t’i shpëtuar varfërisë, rruga me mirë është ndarja. Dhe ai e ka pranuar këtë propozim të gruas së tij Xhemile Hoxha edhe pse ata bashkë kanë një jetë të tërë që punojnë në këtë Kombinat si burrë e grua duke sjellë në jetë edhe tre fëmijë. Një tjetër burrë që po pranon, edhe pse me vështirësi, ndarjen nga e shoqja është Fadil Saliaj. Burbuqja i ka shpjeguar se kjo është për kushtet ekonomike pasi kanë tre fëmijë, të cilët duhet t’i shkollojnë dhe duhet një sakrificë. “Është koha e bashkëjetesës, do të bëhemi edhe ne si Europa”,- thonë me shaka këta njerëz që po përballen me një nga dramat sociale të shoqërisë shqiptare. Estref Qerimaj është inxhinier në repartin e hidrogjenit dhe shefi i këtij sektori. Edhe gruaja e tij, Qeribani, ka ngritur një padi civile për prishjen e kurorës martesore. Dje ai është shprehur se kriteri i vendosur nga drejtoria është i padrejtë ku nga dy pjesëtarë të një familjeje njëri duhet të dalë në asistencë. “Në këto kushte, padyshim, gruaja ka menduar më gjatë dhe ka vendosur të divorcohet me mua. Jam dakord me të dhe të veprojë si të jetë më mirë. Unë kam tre fëmijë dhe me këtë punë jemi munduar që t’i mbajmë fëmijët me shkollë ndërsa sot gruaja ka kërkuar ndarjen kjo nuk më duket normale por ajo bëri këtë zgjedhje dhe është e drejta e saj”,- thotë Qeribani.
Por përveç hallit të vendit të punës, gratë e naftës janë përballur dje edhe me deklaratat të drejtorit të naftës. Gramoz Nazëraj ka reaguar me qëndrimin e 10 grave të këtij kombinati duke pohuar se administrata ose komisioni u ka dhënë shpjegimet e duhura dhe kjo është zgjedhja e tyre. “Të sakrifikosh një dashuri për një dashuri tjetër, siç është kombinati ndoshta është pak e tepruar. Jo të gjitha dashuritë përfundojnë mirë. Unë nuk kam se çfarë komenti tjetër të bëj”,- pohoi dje Nazëraj. Ai shtoi se ankimimet e punëtoreve janë parë nga një komision i posaçëm, ku ka pasur edhe reflektime për individë të veçantë. Ai nuk ka bërë të ditur përjashtimet po ka pohuar se sot 363 punëtorë shkëpusin marrëdhëniet e punës duke përfunduar në asistencë.