Arnaldo Shehu ka gjetur vdekjen teksa është zënë poshtë nga një makineri e vjetër në ish- fabrikën e miellit
KORÇË- Fenomeni i tmerrshëm i gërmimit në hekurishte për të nxjerrë hekur që më pas shitet për skrap, ka shkaktuar një tjetër viktimë dje në qytetin e Korçës. Një i ri 24- vjeçar ka mbetur i vdekur, teksa ishte duke nxjerrë hekur për të fituar bukën e përditshme për familjen e tij. Ai është zënë nga një makineri e vjetër. Por policia e Korçës ka vënë në pranga edhe një tjetër person që vidhte skrap dhe që ka asistuar në vdekjen aksidentale të 24- vjeçarit. Vdekja e të riut që ndihmonte familjen duke e mbajtur me të holla nga shitja e skrapit është regjistruar gjatë mëngjesit të së mërkurës. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se ajo ka ndodhur në ambientet e ish-Fabrikës së Miellit në Korçë.
Arnaldo Shehu, banor i lagjes 10 në këtë qytet, kishte shkuar për të siguruar skrap, një punë që kishte filluar ta kryente vetëm prej pak ditësh, pikërisht në këtë vend, bashkë me shokun e tij Julian Tilka, 30 vjeç. Viktima është përpjekur të heqë pjesët metalike të një makinerie, e cila i është rrezuar sipër duke e lënë të vdekur në vend. Skenën e ka parë i llahtarisur dhe vetë Julian Tilka, i cili është larguar i tmerruar duke njoftuar familjarët e 24 -vjeçarit fatkeq. Më pas ka mbërritur dhe policia në vendin e ngjarjes, e cila ka nisur hetimet. Sipas hetimeve paraprake të saj, vdekja është aksidentale por policia ka arrestuar me akuzën e vjedhjes Julian Tilkën. Kështu një javë më parë, policia e juglindjes ka goditur një grup me pesë hajdutë të skrapit që njëherësh dhunoninvarrezat publike në Korçë. Katër prej autorëve të kapur në flagrancë kanë përfunduar në pranga, ndërsa njëri është lënë i lirë për shkak të moshës së mitur. Por viktima e parë e “skrapit” në Korçë është një i ri nga fshati Qatrom, i cili ka shkuar të vidhte hekur në një kabinë elektrike, por ka mbetur i vdekur nga rryma.