Në qytetin që braktiset gjithnjë e më shumë nga banorët dhe popullohet nga plehrat. Investimet në nivelin zero
RROGOZHINË-Qyteti i Rrogozhinës po zbrazet nga dita në ditë, duke ulur ndjeshëm numrin e banorëve që jetojnë në këtë vend. Papunësia e lartë, mungesa e investimeve dhevendevetë punës ka bërë që shumë banorë të saj t'i drejtohen emgracionit dhe qyteteve të tjera të vendit, për të siguruar një të ardhme më të mirë. Qyteti i Rrogozhinës duket se është kthyer në këtë gjendje për dy arsye kryesore: lënia në harresë nga qeveria, e cila sipas drejtuesve të bashkisë nuk ka akorduar fare fonde për investimet dhe tjetra ka të bëjë me lënien në periferi, për shkak të rrugës së re nacionale Durrës-Lushnje. Qyteti i Rrogozhinës , dikur ishte kryqëzim i rrugëve më të rëndësishme që lidhin jugun e vendit me Shqipërinë e Mesme dhe veriun e saj, por sot qarkullimi i mjeteve dhe i njerëzve tregon për braktisjen në masë të qytetit.
***
E ndërsa banorët largohen drejt qyteteve më të “gjalla”, Rrogozhina mbytet prej mbetjeve urbane. Prej afro tre vitesh, në basenin e lumit Shkumbin pranë Rrogozhinës hidhen çdo ditë rreth 4000 ton plehra në muaj. Sasia më e madhe e plehrave hidhet nga bashkia e Kavajës, e cila llogaritet se depoziton në basenin e Shkumbinit 2000 ton në muaj. Përveç Kavajës, në këtë vend hidhen edhe plehrat e komunës Golem dhe Synej, por në sasi më të vogla. Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Haqim Tosku, ka njoftuar prej kohësh me anë të shkresave institucionet përkatëse, që nga prefektura deri tek ministritë dhe kryeministria, por asgjë nuk është bërë për këtë problem. Bashkia e Rrogozhinës nuk pranon që mbetjet urbane të hidhen në territorin e saj, ndërkohë që vendi ku hidhen aktualisht ka bërë që uji i lumit Shkumbin të ketë një ndotje tejet të lartë, ndotje që përcillet edhe në grykëderdhjen e lumit në det. Plehrat që hidhen nga njësitë e mësipërme vendore nuk trajtohen dhe as të përpunohen aty, siç bën bashkia e Rrogozhinës me plehrat e veta. Tosku thotë se kjo nuk është zgjidhje dhe nevojitet një studim rajonal për problemin e mbetjeve urbane, por nga ana tjetër, bashkia e Kavajës nuk duhet t'i hedhë aty plehrat. Kjo gjë ka shkaktuar edhe ankesa të shumta nga ana e komunave që gjenden në territorin e Lushnjes, si komuna e Çermës. Në lidhje me deklarimet që janë bërë nga kryetari i bashkisë së Kavajës, Refik Rrugia, në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak se: "mendojmë të negociojmë me Rrogozhinën për problemin e plehrave për të bërë kontratë kundrejt një tarife vjetore, në rast se bashkia pranon një gjë të tillë", kryetari i bashkisë së Rrogozhinës ka theksuar se ai nuk di asgjë për këtë dhe askush nuk e ka marrë në telefon për të diskutuar për këtë propozim.
***
Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Haqim Tosku, shprehet tejet i mërzitur edhe për politikat që janë ndjekur në akordimin e fondeve për njësitë e qeverisjes vendore. "Ka shumë njësi të përafërta me ne, si bashkia e Mirditës, Pukës, Peqinit, Orikumit që kanë marrë dyfishin e fondeve këtë vit në krahasim me ato që janë akorduar për bashkinë e Rrogozhinës. Granti është më i vogël se viti i kaluar, afro 5 milionë lekë dhe fondi për investimet zero. Nga ana tjetër, në disa komuna të Kavajës, të cilat kanë një popullsi shumë më të vogël se bashkia jonë, fondet që kanë përfituar janë disa herë më të larta. Kjo ndodh vetëm për shkak se banorët e Rrogozhinës zgjodhën një kryetar të propozuar nga Partia Socialiste",-shpreh shqetësimin e tij Tosku. Kryetari i bashkisë ka bërë të ditur se janë hartuar 10 projekte, të cilat janëdërguar për të përfituar financim nga grantet konkuruese, por deri tani asnjë projekt nuk është shpallur fitues. Ai ka shtuar se prej 16 muajsh bashkia e Rrogozhinës nuk ka parë asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe shkaku është përkatësia politike e kryetarit të kësaj bashkie dhe e banorëve të qytetit.
REFUZIMI
Projektet në letër të Rrogozhinës
Nga projektet që i janë dërguar për financim qeverisë, 5 janë për rrugët e qytetit. Bëhet fjalë për rrugën në drejtim të Peqinit me vlerë 35 milionë lekë, rruga tek stacioni i trenit me vlerë 9.1 milionë lekë, projekti i rrugës së varrezave 9.5 milionë lekë dhe dy rrugë në brendësi të lagjeve, njëra 2.6 dhe tjetra 2.4 milionë lekë. Projektet e tjera të kësaj bashkie lidhen me rikonstruksionin e qendrës kulturore, e cila kërkon një shumë prej 24 milionë lekësh, shtesën e shkollës së mesme me vlerë 13 milionë lekë dhe rikonstruksionin e katit të parë të bashkisë me vlerë 7.6 milionë lekë. Projekti për zyrën e gjendjes civile me vlerë 8 milionë lekë mbetet sërish në letër. Ndonëse asnjë nga projektet e mësipërme nuk është financuar nga buxheti i shtetit, me të ardhurat e saj modeste bashkia e Rrogozhinës ka bërë të mundur rikonstruksionin e katit të dytë të bashkisë, pastrimin e kanalit Peqin-Kavajë, lyerjen e shkollave etj. Nga ana tjetër, janë planifikuar edhe studim-projektimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Rrogozhinës me vlerë 4.5 milionë lekë, megjithëse duhet edhe një shtesë fondi për këtë qëllim.
Mbeturinat urbane
Haqim Tosku, kryetar i bashkisë së Rrogozhinës, shprehet i irrituar për derdhjen e plehrave të Kavajës në njësinë e tij. "Në asnjë mënyrë nuk do ta pranojmë një gjë të tillë. Unë kam vënë në dijeni për këtë problem nënprefektinBardhyl Rexha dhe iu kam dërguar letra kryeministrit Sali Berisha dhe zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Ferdinand Pone. Fillimisht na thanë se hedhja e mbeturinave do të jetë vetëm për një ose dy muaj, por tani u bë shumë kohë që ka nisur ky problem dhe nuk po gjen zgjidhje"
INDIFERENCA
Shqetësimet, pa përgjigje
Për të gjitha shqetësimet që lidhen me qytetin e Rrogozhinës, kryetari i bashkisë,Tosku, shprehet se në të gjitha takimet me deputetin e zonës, Luan Skuqi, nënprefektin e Kavajës, Bardhyl Rexha dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit në nivel vendor dhe qendror, janë dhënë premtime dhe fjalë të mira, por rezultati është zero. Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës ka kërkuar disa herë takim me kryeministrin për këto probleme, por asnjëherë nuk ka qenë e mundur që këshilltarët e tij t'i rezervojnë një takim. Në këto kushte, para disa kohësh ai i ka dërguar kryeministrit Berisha një sms, por edhe ky ka mbetur pa përgjigje. Tosku shprehet se fasada e marrëdhënieve Rrogozhinë-Prefekturë është e mirë, por rezultate nuk ka fare.