Operacioni për goditjen e bandës së falsifikimeve u krye në Tiranë, Durrës e Shijak. Vërtetimet bliheshin nga punonjësi i shtypshkronjës
TIRANË- Patenta për 150 euro dhe leje qëndrimi italiane, për 500 euro. Këto ishin “shërbimet” që ofronin një grup prej 8 falsifikatorësh, që vepronin në Tiranë, Durrës e Shijak. Policia e ka goditur këtë rrjet, me anë të operacionit të koduar “Trekëndëshi”, duke ngritur gjashtë akuza kundër tetë të akuzuarve që përfunduan në pranga. Edmond Apostoli, 48-vjeç, Ilir Fusha, 53-vjeç, punonjës pranë një shtypshkronje, Mariglen Nikaj, 58-vjeç, Pirro Kosta, 48-vjeç, shofer taksie, Avni Sinameta, 27-vjeç, banues në Durrës, Menduh Koçi, 45-vjeç, banues në Shijak, Artur Fadil Tahiri, 37-vjeç, banues në Shijak dhe Julian Gina, 38-vjeç, banues në Golem Durrës janë të arrestuarit të cilët dyshohet se kanë konsumuar 6 vepra penale.
Falsifikimet
Lidhja që kishin krijuar me një punonjës të një shtypshkronje që kishte fituar tenderin për prodhimin e vërtetimeve, ka ndihmuar jo pak shtatë personat në vazhdimin e “aktivitetit” të tyre. Ilir Fusha u shiste falsifikatorëve vërtetimet bosh, të sapo-prodhuara nga shtypshkronja dhe më pas ata i plotësonin vetë ato. Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, Alma Katragjini, tetë të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin mundur të gjenin klientë në Tiranë, Durrës, Shijak dhe Kavajë, të cilët i pajisnin me dokumente false kundrejt parave. “Ky grup merrte porosi nga persona të ndryshëm për pajisjen e tyre me dëshmi aftësie për drejtimin e automjetit, për pajisjen me leje qëndrimi italiane të falsifikuara, si dhe me dokumente të falsifikuara makinash të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Më pas porositë kryheshin në banesat e tre të dyshuarve në Shijak e Golem, ku ishin montuar dhe pajisjet”,-pohoi policia e Tiranës. Falsifikimi i dokumenteve kryhej kundrejt 500 eurove për pajisjen me një leje qëndrimi italiane dhe 150 euro për pajisjen me një dëshmi aftësie të drejtimit të mjetit. Pak kohë më parë, agjentët e antikrimit ekonomik-financiar mësuan për aktivitetin e jashtëligjshëm të personave dhe nisën menjëherë hetimet të cilat u shtrinë në tre qytete. Pas hetimeve policia mundi të zbulonte emrat e të dyshuarve ndaj dhe organizoi një operacion për kapjen e tyre.
Operacioni
Në orët e para të ditës së djeshme, forcat e policisë arrestuan tetë të dyshuarit si falsifikatorë dokumentesh. Burime nga policia thanë se Edmond Apostoli, Mariglen Nikaj dhe Pirro Kosta u arrestuan në afërsi të rrugës “Jordan Misja” në Tiranë, në momentin që ata po blinin nga punonjësi i shtypshkronjës Ilir Fusha, vërtetimet e hyrjes së automjeteve në doganë, të cilat më pas do t’i dërgonin në Shijak e Golem, ku dhe do të plotësoheshin sipas porosive. “U dokumentua tërësisht se vërtetimet e hyrjes së doganës siguroheshin kundrejt shitjes nga punonjësi i shtypshkronjës, “ALBA SHOP”, ku ky i fundit kishte fituar tenderin për prodhimin e vërtetimeve”- thanë burimet policore. “Dyshohet se ka të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet të prodhimit të dokumenteve false. Policia pretendon se ka sekserë të tjerë të lirë të cilët vepronin në Durrës e Tiranë për të marrë porositë e klientëve që ishin të shumtë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre”,- thanë më tej për “Shekullin” burimet nga policia.
Policia bllokoi një “mal” me dokumente
Pas arrestimit të tetë personave, policia e Tiranës, në bashkëpunim me homologët e saj në Durrës, Kavajë e Shijak ushtruan kontrolle në banesat e tyre duke bërë të mundur sekuestrimin e dokumenteve false si dhe të pajisjeve që përdoreshin për plotësimin e vërtetimeve. Policia bëri të ditur se u sekuestruan 1 milion lekë shqiptare, 320 euro, 250 dollarë, 5 copë kompjuter, prodhim i viteve të fundit, 4 copë skaner dhe fotokopje, të cilat përdoreshin për falsifikimin e dokumenteve. Të shumta kanë qenë edhe dokumentet false. “Bllokuam 150 copë vërtetime hyrje për automjete në dogane, 23 copë dokumente në gjuhën italiane, që përdoren për pajisje të dokumenteve të automjeteve. Gjithashtu të arrestuarve iu bllokuan leje qëndrimi italiane të pa plotësuara, 5 pulla franceze të pa plotësuara, 5 pulla italiane dhe 80 CD të mbushura me programe të ndryshme për kompjuter, materiale që shërbejnë për prodhimin e dëshmive të drejtimit të automjeteve, si letër, plasmas etj, si dhe një numër i konsiderueshëm dokumentesh të tjera të falsifikuara”,-pohoi policia e Tiranës. K.Kotorri
TË ARRESTUARIT
Edmond Apostoli, 48-vjeç, i dënuar më parë për “Falsifikim”,
Ilir Fusha, 53-vjeç, punonjës pranë një shtypshkronje “ALB SHOP” në Tiranë,
Mariglen Nikaj, 58-vjeç i dënuar më parë për “Falsifikim”,
Pirro Kosta, 48-vjeç, punonjës taksi,
Avni Sinameta, 27-vjeç banues në Durrës,
Menduh Koçi, 45-vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Falsifikim”,
Artur Tahiri, 37-vjeç, banues në Shijak
Julian Gina, 38-vjeç, banues në Golem Durrës, pronar i një lokali në Golem