Ish-kryeregjistruesi i Tiranës, Alket Shpendi është çuar në Prokurori për hetim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit
Janë me qindra hektarët e tokës që janë përvetësuar në mënyrë të padrejtë dhe njëkohësisht kanë kaluar nën pronësinë e atyre që i kanë zaptuar duke shkelur ligjet dhe rregullat në fuqi. Vendimi vjen nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që me anë të një raporti, bën të ditur se nga ish-Kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive në Tiranë, Alket Shpendi, janë kryer një sërë shkeljesh. Kështu, KLSH bën të ditur se rreth 32 hektarë tokë brenda zonës urbane të qytetit të Fierit kanë kaluar në pronësi, duke qenë tokë e dhënë me ligj në përdorim. Sipas raportit, ligji e ka të ndaluar që tokat bujqësore që ndodhen brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave dhe qendrave të tjera të banuara të jepen në pronësi. Por sipas raportit të KLSH, janë konstatuar edhe një sërë shkeljesh në Bashkinë Patos. Rreth 64 hektarë tokë në këtë bashki, kanë kaluar në pronësi të ish-specialistëve të Ndërmarrjeve Bujqësore, që sipas ligjit nuk mund të bëheshin pronarë të këtyre tokave. Sipas KLSH, kjo kategori e ka përfituar tokën nën pronësi pa të drejtë pasi, sipas ligjit, mund të lidhte vetëm kontrata qiraje për këto prona.
Komuna Dajt, 105.7 ha e falsifikuar
Kontrolli i Lartë i Shtetit bën të ditur se vetëm në komunën Dajt ka një sasi toke prej 105 hektarësh, që është marrë në pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Kështu, raporti i publikuar nga KLSH sqaron se një sipërfaqe prej 323 490 metër/katror tokë e klasifikuar si “Pyll”, në zonën kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru, është marrë nënë pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Një vendim i tillë është dhënë pas kthimit në mënyrë të padrejtë, sipas KLSH, nga ana e Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë. Në komunën Dajt, vlerësohet se janë 672 240 metër/katrorë tokë që janë kthyer sërish pa asnjë dokument për ish-pronarët. Ndërsa në komunën Linzë, në Spitalin Ushtarak, janë marrë disa vendime për kthim pronash për disa ish-pronarë duke krijuar mbivendosje të pronave në një sipërfaqe prej 9 100 metër katrorë. Edhe në Lanabregas, sipas KLSH, një sipërfaqe toke prej 7 680 metër/katrorë është dhënë në pronësi, jo sipas dokumenteve ligjore të ndarjes së tokës, por sipër pretendimeve të ish-pronarëve.
Komuna Kashar
Edhe në këtë komunë vazhdon skandali në vijim i pronave. Janë rreth 1 mijë metër/katrorë truall, që sipas KLSH janë dhënë pa asnjë dokument ligjor por vetëm me anë të një vërtetimi të thjeshtë, për ndërtim të një shtëpie dykatëshe. Me anë të një vendimi tjetër, në këtë zonë është realizuar një mbivendosje pronash, duke shkaktuar një dëm pasuror në një vlerë prej 19.8 milionë lekësh. Dëmi pasuror është shkaktuar pasi është ndërtuar një pikë karburanti në një pronë që i përkiste një pronari tjetër. Gjithashtu 159 540 metër/katrorë tokë është kaluar nga pronari-shtet në pronësi private vetëm me anë të një dublikate.
Komuna Farkë
Në komunën Farkë, në 97 pasuri me një sipërfaqe prej 416 140 metër/katrorë janë bërë kalimit në pronësi nga ish-Kryeregjistruesi, megjithëse mungojnë aktet e kalimit në pronësi. Shkeljet e tjera vazhdojnë në këtë zonë me 86 raste të tjera, me një sipërfaqe që në total shkon në 920 846 metër/katrorë, që janë ta pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut Tiranë.
Zonat Urbane
Në Zonën Kadastrale Nr.8 340, brenda territorit të Uzinës “Dinamo” është regjistruar një sipërfaqe prej 4 605 metër/katrorë Truall e kthyer nga ish komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave. Me anë të dokumenteve, rezulton se kjo tokë është shitur nga ish-pronarët e ish-administratës ushtarake italiane. Regjistrimi i kësaj prone, sipas KLSH, nën pronësinë e ish-pronarëve në mënyrë të padrejtë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 128 milionë lekësh. Në Zonën Kadastrale Nr.8 160 është regjistruar territori i ish-shkollës “Kosova”, me një sipërfaqe prej 2 468 metër tokë Truall. Kjo tokë është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave, në një kohë që është e blerë nga ish-Bashkia Tiranë që në vitin 1942, për ndërtimin e shkollës “Maria Pia Savoia”. Për të gjitha rastet e shkeljeve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, është përgatitur kallëzimi penal për 4 punonjës dhe njëkohësit janë marrë 25 masa organizative. Është përgatitur kallëzim penal edhe për personat që kanë ushtruar veprimtari publike në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë dhe ish-komisionet përkatëse në Farkë dhe Kashar.
Ish-kreu i Tatimeve, nën akuzë penale
Ish-drejtori i Tatimeve, Tiranë, Ilir Mandri është çuar në Prokurori me kallëzimin penal për dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit. Sipas KLSH, në degën e Tatimeve, Tiranë, është konstatuar një dëm ekonomik që në total shkon në 630 milionë lekë. Dëmi ekonomik është shkaktuar nga moszbatimi i dispozitave ligjore për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, moszbatimi i dispozitave për Tatimin mbi të Ardhurat, dhe një sërë shkeljesh në bilancet financuare të kompanive eksportuese. KLSH ka rekomanduar që të merren 4 masa organizative për zhdëmtimin e dëmit prej 630 milionë lekësh dhe ka rekomanduar largimin e 14 punonjësve nga puna. Në këtë degë janë bërë edhe 5 kallëzime penale për drejtuesit e saj.
Drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, nën akuzë
Nga kjo drejtori janë çuar për ndjekje penale, nga ana e KLSH, 5 drejtues të saj, në listën e të akuzuarve është edhe Drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Elsa Meksi. Dëmi ekonomik i shkaktuar në këtë Drejtori, sipas KLSH, shkon në 17.5 milionë lekë.
Hipotekat: Raporti i KLSH nuk është profesional
23 praktika të shqyrtuara nga KLSH, kanë të bëjnë me kompetencat e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë dhe jo me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, çka dëshmon edhe për një nivel të ulët profesional të KLSH-së në njohjen e procesit të regjistrimit të pronave.
Pas publikimit të Raportit të KLSH për shkeljet në regjistrimin e pronave, ka reaguar Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e vet, ka paraqitur mangësitë që janë vërejtur në 263 praktika që ka marrë në shqyrtim, nga të cilat 60 praktika i përkasin periudhës kohore para vitit 2005, çka përbën edhe shkelje të objektit të kontrollit, i cili konsistonte në vitet 2005-2007. Këto praktika që ka shqyrtuar KLSH janë kontrolluar më parë edhe nga Sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor pranë ZQRPP-së dhe u është dhënë zgjidhja përkatëse”,- bëhet e ditur në reagimin e Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ana e Hipotekave është bërë e ditur gjithashtu se Raporti i KLSH-së nuk ka nxjerr si konkluzion, dëmet financiare që i janë shkaktuar shtetit shqiptar nga kjo veprimtari në kundërshtim me ligjin, çka KLSH e ka detyrë parësore ta bëjë. “Gjithashtu, KLSH nuk ka lënë asnjë porosi për të ndërmarrë nisma ligjore, të cilat do të normonin procesin e regjistrimit të pasurisë dhe do të pengonin regjistrimin e paligjshëm të titujve të pronësisë. ZQRPP, njofton opinionin publik se brenda një viti, në funksion të reformimit të institucionit janë ndërmarrë nisma ligjore dhe reforma të brendshme të cilat KLSH, për shkak të paaftësisë profesionale, nuk i ka propozuar kurrë”,- sqarojnë Hipotekat.