Mithat Sulçe ka qenë duke punuar në baxho së bashku me të birin kur është qëlluar në këmbë e më pas në trup
VLORË- Një 50-vjeçar nga fshati Mesaplik i Vlorës është ekzekutuar gjatë natës mes të mërkurës e të enjtes teksa po punonte në baxhon e tij. Mithat Sulçe, 50 vjeç, mësohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ende policia nuk ka mundur që të japë një version të mundshëm të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Hetuesit e çështjes pohuan dje se 50-vjeçari ka qenë së bashku me të birin duke punuar në baxho. Në errësirën e natës ata nuk kanë mundur që të dallojnë personat që i janë afruar nga pas dhe i kanë qëlluar me armë. Plumbi i parë që i është drejtuar Mithat Sulçes, e ka goditur atë në këmbë duke e plagosur. Në këtë moment ai ka tentuar që të ngrihet e të largohet por goditja e dytë ka qenë fatale. Policia e njoftuar dhe mbërritur më pas në vendngjarje ka marrë si provë materiale gëzhojat. Sipas ekspertëve, plumbat janë shkrehur nga armë automatik. Në pyetje janë marrë familjarë, për ndonjë konflikt të mundshëm, por nuk është marrë ndonjë e dhënë më tepër që do të ndihmonte në identifikimin e shpejtë të autorësisë. Ndodhur në vendngjarje, as djali i viktimës nuk ka mundur dot të dallojë vrasësin, teksa në momentet e para ka synuar t’i japë ndihmë të atit. Ende nuk ka një motiv të përcaktuar për ngjarjen, në të cilët po punohet në disa pista. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe zbulimin dhe kapjen e autorëve. Gjithsesi një nga pistat që po hetohet është ajo e një vrasjeje për motive pronësie. Por fakti që vëllai i 50- vjeçarit është efektiv policie, nuk ka përjashtuar pistën e hetimit për to.