Banorët e Bilishtit kërcënojnë me protesta: Po na dëmtojnë shëndetin. Nuk gjendet asnjë gjurmë e kompanisë
Një firmë “fantazmë” ka shkarkuar tonelata me plastmas të ndotur pranë banesave të banorëve
DEVOLL- Një firmë misterioze ka shkarkuar në qytetin e Bilishtit tonelala mbetjesh të rrezikshme, pa u vënë re nga askush. Mjetet me targa të huaja mbërrijnë gjatë orëve të vona të natës në një lagje periferike të këtij qyteti, vetëm 3 kilometra larg kufirit që lidh Shqipërinë me Greqinë. Alarmi për ndotjen ekologjike dhe kërcënimin serioz të jetës të popullatës në Devoll nga firma “fantazmë” është i madh, ndërsa specialistët e mjedisit nuk kanë ndonjë informacion për këto mbetje të patretshme plastmasi. Kamionë me targa greke dhe turke evadojnë mbetjet e rrezikshme më përmbatje toksike pa marrë lejen e askujt, ndërsa qyteza me rreth 5 mijë banorë ndihet e kërcënuar dhe në mënyrë të veçantë, 50 familjet që jetojnë fare pranë kësaj zone. Prej disa ditësh, persona ende të panjohur për autoritetet vendore me mjete që nuk dihet se nga cili destinacion vijnë, kanë evaduar tonelata me mbetje në një nga lagjet më të reja të këtij qyteti pranë ish -SMT-së, ndërsa kjo ka detyruar policinë lokale të nisë një hetim të posaçëm.
***
Banorët e rrezikuar të Devollit ankohen dhe kërcënojnë me protestë, për këtë agresion ekologjik që kërcënon seriozisht jetën e tyre, deri dhe në përfshirjen në një grevë urie. Prej më shumë se 24 orësh, policia e Devollit ka nisur hetimet për një firmë të paligjshme që ka shkarkuar tonelatat me plastmasët e përdorur në Bilisht. Sipas rrëfimit të banorëve për “Shekullin”, mjete të tonazhit të rëndë janë shfaqur në lagjen e re, kryesisht gjatë orëve të natës dhe në orët e para të mëngjesit, duke vënë në alarm banorët. Ata pretendojnë se një firmë do të përdorë territorin e hapur për shkrirje ose larje të plastmasit të vjetër dhe të ndotur, duke rrezikuar kështu një ndotje të lartë mjedisore, jo vetëm për ambientin ku ata jetojnë, por edhe shëndetin e tyre nga përbërjet e larta toksike.Kanë qenë 50 familje në këtë lagje të re të cilat kanë kërkuar ndihmë në organet shtetërore të policisë dhe më pas kanë denoncuar për evadimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, fare pranë shtëpive të tyre. “Këto lëndë të rrezikshme shkarkohennga kamionë me targa turke dhe greke, ndërsa disa shqiptarë shoqërojnë kamionët dhe kanë premtuar se do të hapin punë sezonale për pastrimin e qeseve dhe përpunimine tyre”,-thonë të irrituar banorët.Familjet që kanë nisur të ndiejnë erën e keqe që vjen nga këto mbetje të papërpunueshme janë tronditur nga fakti se mjetet shkarkojnë natën dhe në fshehtësi dhe më pas largohen, ndërsa kanë zbuluar pas një peticioni në organet e pushtetit vendor se nuk ka asnjë leje për ngritjen e një firme të ngjashme në qytet.
***
Edhe Zyra Mjedisore pranë qarkut të Korçës nuk ka të dhëna për një aktivitet të tillë me kosto ndaj mjedisit, ndërsa mohohet të jetë dhënë ndonjë leje apo të jetë kërkuar një e tillë për këtë lloj aktiviteti krejt misterioz. Banorët që janë përfshirë nga paniku i ndotjes së madhe thonë se janë të rrezikuar edhe nga zjarret, pasi banesat e tyre ndodhen jo më larg se 20 metra nga vendi ku janë grumbulluar dhe hedhur plastmasët, ndërsa sipas tyre firma ka pretenduar se është nga Tirana. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Bilishtit mësohet se pas shqetësimit dhe denoncimit të banorëve kanë nisur hetime të posaçme për evadimin e këtyre mbetjeve të patretshme dhe të rrezikshme, madje po kontrollohet edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, duke u nisur nga dëshmitë e okularëve për ardhjen e kamionëve me targa të huaja. Policia bën të ditur se nuk rezulton asnjë firmë të ketë kërkuar leje pranë bashkisë së qytetit për të hapur një biznes të kësaj natyre. Firma misterioze nga ana tjetër ka detyruar policinë e komisariatit të Devolit të nisë patrullime të posaçme gjatë orëve të natës, pranë zonës ku janë hedhur tonelatat e para të plastmasëve të përdorur dhe me erë të keqe për të kapur dhe ndaluar personat që transportojnë këto mbetje me përmbajte toksike në një zonë të banuar.