Korçë, Niko Nunka është akuzuar nga kolegët e tij për fyerje e ofendime të shpeshta. I akuzuari: Fjala është e lirë
KORÇË- Një grup mjekësh nga Korça kanë depozituar një kallëzim penal në prokurori kundër kolegut të tyre kirurg. Kallëzimi pranë organit të akuzës, është bërë pas fyerjeve të vazhdueshme të kirurgut Niko Nunka ndaj drejtuesve të spitalit dhe kolegëve të tij. Porse ngjarja e pak ditëve më parë e përsëritur në mënyrë permanente dhe ka detyruar drejtuesit më të lartë të këtij spitali duke nisur nga drejtori Ilia Jatagani, si dhe nëndrejtori Ilir Koroveshi të kërkojnë zgjidhje pranë organeve të drejtësisë.
Padia është bërë gjatë të hënës dhe menjëherë pas saj është thirrur për të dëshmuar si i akuzuar mjeku kirurg Niko Nunka. Burime të prokurorisë së Korçës shpjeguan se ndaj Nunkës rëndon akuza e fyerjes për shkak të detyrës së kolegëve të tij, ndërsa ai rrezikon madje dhe pezullimin e përkohshëm nga detyra, derinë mbyllje të procesit hetimor. Padia ndaj një mjeku nga kolegët e tij është e para e këtij lloji që ndodh në juglindje, ndërsa grupi i drejtuesve dhe i mjekëve të spitalit rajonal janë detyruar pas situatave acaruese dhe të mbushura me fyerje që kolegui tyre krijonte në mënyrë të vazhdueshme të merrnin një vendim të tillë “in ekstremis”. Drejtori i këtij spitali Ilia Jatagani ka pohuar se situata në spital për shkak të këtyre fyerjeve nga mjeku në fjalë ishte bërë e rëndë dhe e lodhshme për të gjithë. “Madje ai fyente këdo që gjente përpara, dhe nuk respektonte askënd, as drejtuesit dhe titullarët e institucionit në fjalë” , pohon Jatagani. Ngjarja e fundit që ndodhi pak ditë më parë, lidhet me një debat të përsëritur te kirurgut Niko Nunka. Sipas krerëve të spitalit, Nunka pretendon të përdorë një aparat për mjekim për të sëmurët me stomak, aparat i cili quhet fidro-gastroskop kurativ dhe që nuk ekziston të jetë pranë ambienteve të spitalit të Korcës.
Kirurgu ka përfunduar disa vjet më parë një specializim në Itali për mjekim me aparatin fidro-gastroskop kurativ dhe pohon se kjo e drejtë nuk i jepet qëllimisht nga drejtuesit e spitalit. Por duket se vetë Nunka nuk ka bërë njehsimin e licencës për të drejtën e përdorimit të kësaj aparature për pacientët që kanë probleme të stomakut. Ky njehsim, sipas Jataganit, bëhet pranë departamentit të gastroepatologjisë në kryeqytet. Në Burime të prokurorisë pohuan se Nunka është justifikuar duke u shprehur se në demokraci je i lirë të thuash çfarë të duash dhe se ai nuk mund të penalizohet për këtë gjë.