Gjykata i ndalon operacionet mjekut nën hetim, që operoi 17-vjeçaren Matilda Petriti
TIRANË- Mjeku Xhevahir Hoxhallari, që sot e tutje nuk do të kryejë asnjë operacion në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet apo nëpër klinika private. Megjithatë, ai lejohet të kryejë shërbimet ambulatore. Ky është vendimi i dhënë paraditen e djeshme nga gjyqtarja e gatshme e masave, e cila mori në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të mjekut që operoi 17-vjeçaren Matilda Petriti. Pas leximit të kësaj kërkese nga prokuroria, gjyqtarja i dha fjalën avokatit mbrojtës të të pandehurit Hoxhallari dhe vetë këtij të fundit. Gjatë fjalës së tij, avokati i Hoxhallarit kërkoi nga gjykata të mos pranohet kërkesa e prokurorit, duke e u shprehur: “operacioni nga mjeku është kryer me sukses dhe gjakderdhjet e shkaktuara kanë ardhur nga ngacmimet e plagës me sende të forta apo kollitje të rënda”,-ka thënë avokati.
Këto pretendime i ka mbrojtur edhe vetë mjeku Hoxhallari, por që janë kundërshtuar nga prokurori i çështjes, i cili ka paraqitur akt-eskpertimin mjeko-ligjor që nënvizon se “shkaku i vdekjes është ndërhyrja kirurgjikale në vendin e gabuar”. Gjyqtarja pas dëgjimit të këtyre pretendimeve vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke rrëzuar atë të pezullimit nga detyra. Sipas vendimit, i pandehuri Hoxhallari ndalohet të marrë pjesë në operacione të planifikuara apo të rastit pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për shkak se ndaj tij ka një procedim penal, ku ai akuzohet për “mjekim të pakujdesshëm” gjatë kryerjes së operacionit të 17- vjeçares Matilda Petriti, e cila vdiq 22 ditë pas operacionit të bajameve. Mjeku Hoxhallari lejohet të kryejë shërbime ambulatore, duke vizituar pacientë, por ndalohet të hyjë një tjetër herë në sallën e operacionit. Xhevahir Hoxhallari po hetohet nga organi i akuzës, i akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” në lidhje me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Adoleshentja humbi jetën si pasojë e hemorragjisë, pas një operacioni në bajame, ndërkohë që familjarët e saj akuzuan fill pas tragjedisë mjekët për neglizhencë, duke i bërë fajtor për këtë ngjarje.