SHKODËR- Rreth 200 kg fruta e perime të sekuestruara nga policia bashkiake e Shkodrës i janë dhuruar shtëpisë së pleqve në Shkodër. Aksioni i policisë bashkiake ka pasur si qëllim lirimin e trotuareve nga shitësit ambulantë që tregtojnë prodhime fshati në lagje të ndryshme të qytetit të Shkodrës. Sipas drejtorit të policisë bashkiake, Benjamin Nako, këta tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vende të jashtëligjshme kanë qenë të lajmëruar disa herë për të mos tregtuar në vende të tilla, madje janë gjobitur por përsëri kanë vazhduar të mos binden dhe të tregtojnë në trotuare. E gjithë sasia e mallit që është sekuestruar është dërguar në shtëpinë e pleqve në Shkodër ku do përdoret prej tyre. A. D
--------------------------------------------------
Shkodër, përplasja mes fshatrave Beltojë e Ashtë mund të kishte përfunduar në keq nëse nuk ndërhynte policia
Konflikti për tokën, rrezikon përplasjen e fiseve
SHKODËR- Pronësia mbi tokën ka rrezikuar të përfundojë me përplasje mes banoreve të dy fshatrave fqinjë në kufirin ndarës të komunave Bushat e Berdicë në rrethin e Shkodrës. Protagonistë kanë qenë pjesëtarë të familjeve nga fshatrat Beltojë i komunës Berdicë dhe Ashtë i komunës Bushat, që prej shume vitesh kishin mosmarrëveshje me njëra- tjetrën për këtë sipërfaqe toke, e cila ndodhet ngjitur me superstradën Shkodër-Lezhë. Pjesëtarë të familjes Pjetri nga fshati Ashtë prej shume kohësh presin ti rikthehet toka e përfituar nga ligji 7501, por banorët e fshatit fqinj nuk i janë bindur rregullsisë se letrave por kanë preferuar ta mbajnë të zënë këtë tokë dhe pse nuk kanë dokumente për të.
Por në përkrahje të banorëve të Ashtës ka dalë edhe komuna Bushat, e cila me ndihmën dhe të efektivave të policisë ka bërë ndërhyrjen për kthimin e pronës tek pronarët e ligjshëm. Dy palët janë konfliktuar duke dashur të kalojnë dhe në përleshje fizike, por ndërhyrja e policisë ka bërë që ato të qetësohen. Rrok Pjetri, banor i Ashgtës, shprehet se ai dhe familja e tij kërkon jo vetëm kthimin e 50 dynymëve tokë që i është zënë dhe përdorur me të padrejtë nga të tjerë persona, por dhe dëmshpërblimin për gjithë këto vite ku ai nuk ka mundur të mos e punojë tokën. “Ne nuk kemi dashur të veprojmë me force e të kemi konflikte me pasoja. Kemi vite që nuk mund të punojmë tokën tonë. Është shteti ai që duhet të vërë në vend drejtësinë dhe të japë mundësi të jetojmë duke punuar në atë pronë që na takon. Nuk kemi mundur as ta punojmë dhe as të afrohemi”,- thotë Pjetri.
Ndërsa kryeplaku i fshatit Ashtë, Pashuk Gjeçaj, thotë se kjo nuk është e vetmja sipërfaqe toke që i është zënë me të padrejtë banorëve. Sipas tij nga 260 ha tokë në pronësi që ka ky fshat, në 50 ha ka mbivendosje pronash. “Toka del në hartën e hipotekës e vendosur diku tjetër, madje shtëpia ime del 800 m larg vendit ku ndodhet realisht. Është 1/5 e tokës në këtë fshat e pushtuar nga të tjerë persona që pa asnjë dokument kanë arritur të marrin certifikata pronësie”- thotë ai. Prej shumë vitesh komuna Bushat ka vërejtur parregullsi në ndarjen e tokave në territorin e saj, si mbivendosje e tjetërsim. Sipas kryetarit të komunës Bushat, Zef Hila, janë evidentuar 1025 raste ku toka është pushtuar pjesërisht ose plotësisht, ndërsa në mjaft raste kur toka publike është zënë nga persona të ndryshëm të cilët pa asnjë dokument kanë mundur ta regjistrojnë atë.