Skandal në prokurori, një 24-vjeçar mbahet në mënyrë të kundraligjshme në qeli për më shumë se 3 muaj
Historia e Kastriot Prendit, që dezertoi nga ushtria për të shkuar në Greqi, por përfundoi në burg
Flamur Vezaj
TIRANË- Një 24-vjeçar është harruar në qeli prej 150 ditësh, edhe pse nuk ka asnjë masë arresti kundër tij. Zyra e Avokatit të Popullit ka denoncuar dje një tjetër skandal në sistemin tonë të drejtësisë, ku më të implikuar duket se janë prokurorët ushtarakë të Tiranës. Kastriot Prendi, një 24 -vjeçar “dezertor” i ushtrisë ndodhet i izoluar prej 3 muajsh e 17 ditësh në burgun 325 në Tiranë, edhe pse gjykata e ka pezulluar dënimin e tij. Mesditën e djeshme, komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, denoncoi rastin e 24- vjeçarit Prendi, i cili prej 150 ditësh qëndron në qelitë e institucionit të vuajtjes së dënimit “Ali Demi” në kryeqytet. “Kastriot Prendi, i lindur këtu e 24 vjet më parë në Gjegjan të Pukës, por me banim prej vitesh në Sarandë është dënuar nga Gjykata e këtij qyteti bregdetar në mungesë me 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të “dezertimit”. Ai është larguar në mënyrë të paligjshme nga ushtria, ku ishte rekrutuar pa dëshirën e tij dhe kishte shkuar emigrant në Greqi”,-pohoi Haluca.
***
Fati i keq e ka ndjekur Prendin edhe në Greqi, ku policia e këtij vendi e ka kapur në Selanik pa dokumente dhe e ka kthyer në kufi, duke ia dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Pas verifikimit në sistemin TIMS të të dhënave personale të tij, oficerët e kësaj pike kalimi kufitar i kanë vendosur prangat, duke e njoftuar se ishte dënuar në mungesë me 6 muaj burg. Sipas Halucës, këtu fillojnë edhe shkeljet e ligjit nga ana e prokurorëve të seksionit ushtarak të Tiranës. Menjëherë pas arrestimit, Prendi është sjellë në institucionin e vuajtjes së dënimit tek “Ali Demi”, për të vuajtur dënimin e marrë prej 6 muajsh për “dezertim”. Por meqenëse 24 -vjeçari Prendi nuk kishte dijeni për gjyqin dhe dënimin ndaj tij, ka vendosur bashkë me avokatin e tij mbrojtës t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë me kërkesën e rivendosjes në afat të ankimimit ndaj vendimit të parë të Gjykatës së Sarandës. Kjo kërkesë është pranuar nga togat e zeza të Gjykatës së Tiranës, për rivendosje në afat, por prokuroria nuk e ka pezulluar ekzekutimin e vendimit, siç e parashikon ligji, duke e mbajtur pa të drejtë në qeli për 150 ditë.
***
“Mbajtja për një kohë kaq të gjatë e Kastriot Prendit në burg, rezulton të jetë e kundraligjshme dhe shumë flagrante për pozicionin e organit të prokurorisë. Në këtë kuadër, Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, të marrë masa administrative ndaj disa prokurorëve të Tiranës, të cilat nuk kishin ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë, parashikuar nga nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal”-tha komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca. Sipas tij, seksioni i Prokurorisë Ushtarake ka shkelur nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal, që parashikon “shpërdorimit të detyrës” dhe akuzën e “Mosmarrjes së masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” dhe për këto shkelje i kërkoi Ina Ramës marrjen e masave të menjëhershme ndaj përgjegjësve që duhej të lironin të dënuarin në mungesë.
REAGIMI
Prokurorët: S’na ka
ardhur vendimi i gjykatës
TIRANË- 24 -vjeçari Kastriot Prendi u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës më 13 mars dhe prej kësaj date ndodhet në qelitë e burgut 325 në Tiranë. Dosja e gjykimit të çështjes së tij, tashmë ndodhet në duart e Gjyqtarëve të Apelit Ushtarak të Tiranë, ku pritet të shqyrtohet ankimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë, e cila e dënoi për dezertim në mungesë me 6 muaj burg. Të pyetur për këtë çështje, prokurorët e seksionit ushtarak në Tiranë u shprehën se: “i pandehuri Kastriot Prendi gjatë fazës së hetimeve paraprake është njoftuar për hetimet dhe familjarët kanë marrë dijeni duke firmosur. Më pas i është dërguar sërish njoftim në familje, gjatë fazës së gjykimit dhe sërish familjarët kanë nënshkruar. Ndërsa në lidhje me pranimin e kërkesës për rivendosje në afat, prokurorët thonë që në zyrat e tyre nuk ka shkuar asnjë vendim i tillë”. Ndërkohë, disa ditë më parë ishte vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj që denoncoi në media lajmin e shkeljeve të rënda, sipas tij, të dy prokurorëve të Shkodrës, të cilët kishin mbajtur në qeli një person për 75 ditë në mënyrë të kundraligjshme. F.V