PATOS- Konfliktet mes Partisë Socialiste dhe LSI-së duket se do të vazhdojnë edhe në nivel lokal. Rasti më i fundit është vënë re në qytetin e Patosit, teksa bashkia e drejtuar nga LSI-ja ka urdhëruar prishjen e lokalit që ndodhej në ambientet e selisë së PS-së. Edhe pse krerët e PS-së kanë kundërshtuar fuqimisht këtë vendim, dje lokali është rrafshuar. Krerët e PS-së lokale e kanë cilësuar dje këtë vendim si politik pasi ligjërisht ata kanë të gjitha të drejtat të ndërtojnë lokalin në mjediset e selisë. Sipas krerëve të PS-së, ky lokal është marrë me një vendim të Këshillit të Ministrave që lejon partitë të administrojnë territorin përreth godinës së tyre. Nga ana e saj, bashkia Patos, nëpërmjet kreut të policisë ndërtimore, Mitat Seriani, hedh poshtë këtë pretendim me argumentin se vendimi i këshillit bashkiak është zbatuar në përputhje me ligjin.