Fatjon Shehu ishte fshehur në një shtëpi në zonën e Shijakut. U identifikua nga shokët e viktimës që ishin në lokal
DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm vrasësin e 20-vjeçarit Renato Koçiu. Ai është shtetasi Fatjon Shehu, 22 vjeç, i lindur në Peshkopi dhe banues në Plazhin e Durrësit. Pas ngjarjes, 22-vjeçari kishte mundur që të largohej por është prangosur në Shijak. Ai ishte fshehur në një shtëpi të zonës por policia ka arritur të zbulojë vendndodhjen e tij në rrugë operative. Tashmë Fatjon Shehu akuzohet për vrasje me dashje me armë të ftohtë.
Menjëherë pas krimit të ndodhur në zonën e plazhit, policia ushtroi kontrolle të vazhdueshme për të mos lejuar largimin e vrasësit nga zona e qytetit dhe për të kryer arrestimin e tij. Informacioni i mbledhur nga dëshmitë e personave në vendngjarje dhe shokët e viktimës që kishin dijeni mbi konfliktet e tij dhe se me kë i kishte, kanë bërë që policia ta kishte në dorë situatën duke zbardhur deri diku dinamikën e krimit dhe identifikuar autorin. Sipas burimeve të policisë, vrasësi i Renato Koçiut është identifikuar shumë shpejt por arrestimi është kryer disa orë më vonë. Nisur nga të dhënat operative që ka marrë policia ngjarja ka pasur si shkak një konflikt të konsideruar banal. Si viktima ashtu dhe vrasësi i tij kishin njohje të mëparshme dhe dy net më parë ndodheshin në të njëjtin lokal.
Të rinjtë kanë nisur të grinden për motive të dobëta në orët e natës dhe pas pak kanë vënë në përdorim grushtet. Dëshmitarët okularë pohuan se në një moment një prej të rinjve ka nxjerrë një thikë të madhe, të cilën e kishte me vete dhe ka goditur Renato Koçiun në kokë. Kur 20-vjeçari është ulur ai e ka goditur sërish në pjesën e kraharorit. Kjo goditje ka rezultuar fatale pasi ka prekur drejt e në zemër dhe nga hemorragjia e madhe ka bërë që ai të humbë jetën shumë shpejt. Ndihma e shpejtë që është tentuar që t’i jepet ka qenë e paefektshme pasi ai ka vdekur rrugës për në spital. Disa minuta më pas, policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e personave të tjerë që ndodheshin në lokal kanë bërë të lehtë identifikimin e vrasësit.