Mexhit Collari ka gjetur vdekjen nga një atak kardiak vetëm pak çaste pasi ka hyrë në ujin e ftohtë të liqenit
POGRADEC- Liqeni i Pogradecit ka shënuar viktimën e parë për këtë vit teksa është mbytur një 22- vjeçar nga fshati Urakë i Përrenjasit. Mexhit Collari ndodhej në liqen së bashku më shokun e tij, Viktor Toçka. Ata kanë qëndruar në breg të liqenit në afërsi të fshatit, dhe në orët e pasdites kanë hyrë në ujë. Por sapo kanë bërë disa metra not 22- vjeçari Mexhit Collari është zhytur dhe nuk po dilte nga uji. Në këto rrethana shoku i tij, Viktori ka shkuar me shpejtësi drejt tij dhe e ka nxjerrë trupin nga uji. Por sapo e ka nxjerrë në breg ka parë që Mexhiti nuk kishte asnjë reagim. Viktori ka kërkuar ndihmë rreth e rrotull plazhit ndërkohë që i ka filluar një frymëmarrje artificiale por zemra e 22- vjeçarit Mexhit Collari kishte pushuar.
Viktori, së bashku me disa shokë dhe të afërm që mbërritën menjëherë pas njoftimit të tij me telefon, kanë marrë viktimën me një makinë në drejtim të fshatit Urakë ende pa ardhur policia për të kryer ekspertizën. Uniformat blu janë njoftuar nga një telefonatë anonime për faktin që dikush ishte mbytur në liqen. Në këto rrethana ekspertët kanë udhëtuar në drejtim të fshatit Urakë dhe sapo kanë mbërritur në familje kanë kryer në një nga ambientet e shtëpisë ekspertizën mjeko –ligjore. Sipas ekspertizës, viktima nuk kishte pirë asnjë pikë ujë por që në momentin e parë që kishte hyrë në liqen ka pësuar një atakt kardiak, që ka sjellë pushimin e menjëhershëm të zemrës. Ky është rasti i parë i aksidenteve në liqen për këtë vit ndërkohë që vitin e kaluar janë mbytur tetë persona.