Dikur quhej “kryeqyteti” shqiptar i pastërtisë është kthyer në qytetin e tretë më të ndotur në vend. Rrezik nga sëmundjet
KORÇË- Ai që dikur njihej si “kryeqyteti” i pastërtisë dhe me një ajër tërësisht të shëndetshëm, tanimë nuk mund të cilësohet më i tillë, ndërsa banorët e tij kërcënohen nga sëmundje të rënda vdekjeprurëse. Duket se fenomeni i ndotjes së ajrit është zhvendosur nga kryeqyteti i vendit Tirana, që është në top listën e zezë të kësaj ndotjeje, edhe në Korçë. Lajmi për ndotjen e madhe të ajrit në juglindje vjen për gazetën nga autoritetet e shëndetit publik, të cilët kanë vënë alarmin për një nivel tepër të lartë të ndotjes, që është dyfishuar ndjeshëm në vitet e fundit. Niveli i lartë i ndotjes në ajër të shkaktuar nga pluhuri, sipas specialistëve, ka bërë të rritet sëmundshmëria në njerëz, ndërsa qyteti është kategorizuar dhe përfshirë në zonën e alarmit gjatë këtij viti. Pluhuri në nivele dy herë më të larta se normalja dhe grimcat e vogla që depërtojnë në mushkëri, siç tregojnë specialistët dhe inspektorët e shëndetit publik, ka shtuar rastet e sëmundjeve të aparatit respirator në qytetin e Korçës.
Më shumë të sëmurë të rinj me astma, probleme pulmonare etj., i janë shtuar listës së pacientëve juglindorë brenda një viti, ndërsa, sipas të dhënave nga spitali, në muaj kurohen mesatarisht të paktën 70 persona. Mjekët thonë se ka raste më të shumta të përhapjes së kancerit në mushkëri që kanë qenë raste në rritje në dy vitet e fundit, por edhe të sëmundjeve të tjera që trajtohen në sanatorium. Njerëzit para pluhurit dhe grimcave të imta që depërtojnë në mushkëri, janë më të ekspozuar ndaj këtyre sëmundjeve, ndërsa sipas të dhënave të shëndetit publik, edhe gjatë shëtitjeve që njerëzit kryejnë në rrugë me idenë se marrin ajër të pastër, nuk janë të mbrojtur, madje ndodh e kundërta. Kështu është shprehur një nga inspektorët e higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë, Jani Bukuroshi. Specialistët deklarojnë se qyteti është në zonën e alarmit me pluhur nën 10 mikron dhe me norma më të larta të ndotjes së ajrit se normat europiane. Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik që ka kryer edhe matjet mbi nivelin e ndotjes në ajër nga pluhuri e ka futur qytetin në tabelën e zonës së alarmit. Inspektori Jani Bukuroshi thotë për gazetën se nuk mund të flitet më për një qytet me ajër të pastër pasi nga statistikat dhe matjet ka një përqendrim të lartë të pluhurit në ajër.
“Normat europiane që janë në 40 mikrogram për metër kub. Këto jo vetëm që janë tejkaluar por në vitet e fundit kanë qenë gjithnjë në rritje. Grafiku tregon një dyfishim të tyre. Kështu nga matjet dhe përllogaritjet Korça rezulton ndër qytetet me ndotje të lartë të ajrit nga pluhuri, me nën 10 mikron pluhur, dhe më mbi 90 mikrogram për metër kub. Kjo tregon se qyteti vendoset në nivelet e larta të ndotjes pasi mbi 75 për qind e tij konsiderohet një ndotje në përmasa të mëdha” shpjegon inspektori i higjienës. Sipas tij, në qytet në shumë pjesë ku janë përqendruar matjet pluhuri që shkaktojnë makinat gjatë lëvizjes në rrugë, ka zona që shkon në tre metra lartësi, ndërsa grimcat e vogla që thithen janë më të dëmshmet për mushkëritë.
Arsyeja që ka çuar në një ndotje të tillë më shumë lidhet me faktin se pas punimeve që kryhen në rrugë, nuk merren masa për pastrimin e mbetjeve dhe si rrjedhojë akset rrugore, kryesisht ato dytësore, mbeten me pluhur dhe dhera nga ndërtimet. Nga lëvizja e mjeteve pluhuri që ngrihet është i madh dhe me pasoja të rënda për shëndetin dhe rrugët e frymëmarrjes dhe në shumë raste grimcat mbeten në mushkëri duke shpënë deri në raste të kancerit. Përllogaritjet e specialistëve tregojnë se qyteti është dy herë më i ndotur sot se në vitin 2001, kur ka nisur një studim mbi ecurinë e ndotjes që e rendit Korçën në qytetin e tretë për nga niveli i lartë i papastërtisë së ajrit në vend.