Prokurorët federalë në Miami të SHBA-së kanë ngritur akuza të reja në lidhje me Efraim Diverolin dhe skandalin e municioneve të blera në Shqipëri e të dërguara në Afganistan për llogari të shtetit amerikan. Tashmë hetuesit amerikanë kanë shtuar 13 akuza të reja për 22-vjeçarin nga Florida i cili ka nisur skandalin multimilionë dollarësh nga Shqipëria në Afganistan. Ai do të akuzohet edhe për shitje të municioneve të skaduara dhe të prishura tek forcat mbrojtëse të Afganistanit.
Hetuesit amerikanë kanë rishikuar dosjen e firmës AEY dhe veprimet e Efraim Diverolit për të arritur në një tjetër akuzë. Deri më dje ai është akuzuar vetëm për mashtrim në ndryshimin e vendit të orgjinës dhe vendit të shitjes së municioneve. Fishekët janë blerë në Shqipëri me çmime qesharake pasi janë prodhim kinez i viteve 60-70 por në dokumente janë shënuar sikur janë blerë në Hungari dhe janë prodhim i këtij vendi. Një tjetër pjesë e hetimit janë të gjitha transfertat bankare të kryera nga “AEY. Inc”me qendër në Miami. Ato do të verifikohen me imtësi dhe do të shihet se ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve amerikanë. “Përveç këtyre dy akuzave ne kemi zbuluar edhe një tjetër shkelje të ligjeve federale. Edhe kjo akuzë bazohet mbi mashtrimin por këtë herë Efraim Diveroli akuzohet se ka shitur municione të skaduara”, kanë thënë hetuesit amerikanë. Ata kanë shpjeguar se kjo akuzë është bazuar në dëshmitë e dhëna nga ushtarakë të forcave amerikane në Afganistan por edhe ushtarakë afganë.
Këta kanë pohuar se municionet që u ka dorëzuar Diveroli, në shumicën e rasteve, nuk punonin. Bëhet fjalë për fishekët e prodhimit kinez që shpesh herë kishin mbushjen e prishur dhe nuk shkrepnin. Akuza e re nuk ka lidhje me dy të mëparshmet, të cilat sollën edhe arrestimin e Efraim Diverolit dhe tre bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë më 19 qershor të këtij viti. Sipas hetuesve amerikanë, tashmë Efraim Deveroli po përballet me 13 akuza mashtrimi. Kjo do të thotë se në bazë të ligjeve federale ai rrezikon një dënim deri në 20 vjet burgim. “Këto akuza të reja dhe masa e dënimit të tyre bëjnë që arrestimi për drejtim të makinës në gjendje të dehur dhe akuzat për dhunë brenda familjes të bëra nga ish- e dashura e tij, të duken pothuajse qesharake”,- thanë hetuesit.
ërveç hetimit federal, Efraim Diveroli dhe “AEY. Inc” po përballen dhe me një tjetër hetim nga Kongresi Amerikan. Vetë Diveroli nuk ka dëshmuar ende në Kongres por ekspertë të ndryshëm kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me armët dhe mënyrën se si “AEY. Inc” ka arritur të marrë kontratën 300 me vlerë milionë dollarë. Një ndër dëshmitarët më të rëndësishëm të hetimit të Kongresit është David Packhouz, numri dy i kompanisë. Ai i ka premtuar Kongresit një dëshmi të plotë me të gjitha detajet e fshehura të çështjes por në këmbim të rrëzimit të akuzave ndaj tij. Nëse ai arrin të bëjë një marrëveshje të tillë edhe me federalët atëherë çështja mund të njohë zhvillime të reja.
KONGRESI
Akuzat ndaj diplomatëve për fishekët e Diverolit
WASHINGTON- Hetimi për mashtrimin me armët në Afganistan ka ndryshuar drejtim, për shkak të dyshimeve të ngritura nga komisioni i Kongresit ndaj diplomatit amerikan. Akuzat kundër ambasadorit duket se janë të paqarta, megjithatë prokurorët po përpiqen të përcaktojnë pasojat në rast përfshirjeje, çka do të konsiderohej një prej rasteve më serioze të abuzimeve ndër vite. Çështja zë fill me një tregtar armësh me qendër në Majami, 22-vjeçari Efraim Diveroli, i cili i shiti municione Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar forcat ushtarake të Afganistanit nëpërmjet një kontrate prej 298 milionë dollarëshe me Pentagonin.
Hetuesit kanë gjetur prova se kontraktuesi bleu miliona fishekë të vjetër kinezë, që gjendeshin në Shqipëri që prej kohës së Luftës së Ftohtë. Hetimet e prokurorisë janë komplikuar në momentin që Henry Waxman, kryetari i Komitetit të Reformave Qeveritare në Kongres, tha se kishte dëgjuar prej një dëshmitari se diplomati Uithers mund të ketë luajtur një rol kyç në fshehjen e provave të mashtrimit, por ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë mohoi çdo lloj lidhjeje me fishekët, duke pranuar vetëm një takim urgjent me Mediun, idetë e të cilit nuk ishin aprovuar.