Rëndohet pozicioni i dy të akuzuarve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Rrezikojnë nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm
Hetuesit i komunikojnë Delijorgjit dhe Minxollit akuzën e vrasjes së cilësuar, të dy apo më shumë personave
TIRANË- Tragjedia e Gërdecit ishte një vrasje masive. Edhe pse të gjithë e kanë tashmë të qartë këtë histori tragjike, për dy të akuzuarit kryesorë, akuza e re ishte një “surprizë” e pakëndshme. Grupi hetimor i ngritur pranë Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, pas 70 ditësh hetimi, i komunikoi administratorit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe kunatit të tij, Dritan Minxhollit akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese” të dy apo më shumë personave në bashkëpunim, duke rënduar pozitën e tyre. Ky lajm konfirmohet nga hetuesit e Gërdecit, të cilët mëngjesin e djeshëm, të shoqëruar edhe nga avokatët e Delijorgjit dhe Minxholli kanë zbarkuar në qelitë e paraburgimit “Jordan Misja” në kryeqytet, duke iu komunikuar të pandehurve akuzat e vrasjes së 26 personave dhe plagosjes së rreth 300 të tjerëve.
“Ka qenë ora 9:00 e mëngjesit të djeshëm, kur dy nga gjashtë prokurorët e çështjes, të shoqëruar nga avokatëtkanë takuar dy të pandehurit Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, veçmas njëri-tjetrit. Atyre u janë komunikuar akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese”,-pohuan burimet nga grupi hetimor. Sipas prokurorisë, kjo vepër penale është kryer indirekt nga dy të pandehurit Delijorgji e Minxholli, pasi njëri nga të pandehurit është administratori i shoqërisë “Albademil” që kishte për detyrë çmontimin e predhave dhe municioneve, dhe tjetri drejtori teknik i kësaj shoqërie, puna e të cilit kishte të bënte direkt me fabrikën e vdekjes në Gërdec. Sipas këtyre burimeve, ndaj dy të pandehurve është ngritur akuza e “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, vepër kjo e parashikuara nga neni 79 pika dh ë dhe 25 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, të pandehurit Delijorgji dhe Minxholli rrezikojnë dënimin me burg jo më pak se njëzet vjet deri në burgim të përjetshëm, nëse shpallen fajtorë nga gjykata.
Edhe pse dukej se hetimet për çështjen e Gërdecit kishin ngecur në vend, Prokuroria e Përgjithshme ndërmorri dje një hap të rëndësishëm, përsa i përket të pandehurve të çështjes. Deri dje, Delijorgji dhe kunati i tij akuzoheshin vetëm për shkelje të rregullave teknike, por tashmë ata janë cilësuar si përgjegjës për 26 jetët e humbura gjatë shpërthimit në Gërdec. I pari që është njohur me akuzën e re ka qenë Mihal Delijorgji, i cili ka firmosur bashkë me avokatin e tij mbrojtjës, procesverbalin e komunikimit të akuzës me fjalën: “nuk jam dakord”.
Sipas këtyre burimeve, të pandehurit Ylli Pinari nuk i është ngritur kjo akuzë, pasi vetë ai nuk ka të bëjë direkt me punën që kryhej nga kompania “Albademil” në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec. Burimet pranë grupit hetimor saktësuan se “me ardhjen e disa materialeve nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe marrjes së dëshmisë së presidentit të AEY-së, Efraim Diveroli, i cili ështënë liri me kusht në SHBA, ndaj të pandehurve mund të ngrihet edhe akuza e “trafikut të armëve dhe municioneve luftarake”, pasi ekzistojnë disa elemente apo indice të kryerjes së kësaj vepre penale nën siglën e Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë, avokatët e dy të pandehurve të kontaktuar nga “Shekulli”, i cilësojnë akuzat e ngritura si një farsë të prokurorisë për t’i zgjatur afatethetimore ndaj tyre, pasi në shtator mbaron afati 6- mujor i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.
------------------------------------
Megjithë heqjen e imunitetit, ish-ministri i Mbrojtjes nuk është marrë më në pyetje
Seanca e pyetjeve me Mediun, vetëm në shtator
TIRANË- Megjithëse është pa imunitet, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk është thirrur për të dëshmuar mbi tragjedinë e Gërdecit në Prokurorinë e Përgjithshme. Arsyet e shtyrjes së seancës së pyetjeve me ish-ministrin nuk bëhen të ditura zyrtarisht,por që burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme thonë se: “pyetja e deputetit Fatmir Mediu do të bëhet nga fillimi i muajt shtator, pas mbarimit të pushimeve verore të prokurorëve të çështjes”. Ndërkohë, vetë deputeti Mediu pak ditë para dhe pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi, ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të, të mos zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe lëshimin e urdhrave në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkaq, ditët e fundit hetuesit dhe prokurorët e çështjes së Gërdecit kanë filluar të marrin në pyetje persona të ndryshëm që punonin në atë kohë në Ministrinë e Mbrojtjes, në lidhje me lëshimin e urdhrave nga ish-ministri Mediu dhe zbatueshmërinë e tyre nga vartësit e tij, konkretisht nga Forcat e Komandës së Bashkuar që drejtoheshin nga gjenerali i shkarkuar tashmë me dekret të presidentit Bamir Topi, gjeneral brigade Shpëtim Spahiu dhe nga zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Deri tani, nga lista e zyrtarëve të implikuar në këtë çështje ndodhet në pranga vetëm ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
AKUZAT
Neni 79
Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 11)
Vrasja me dashje e kryer:
a) ndaj të miturit;
b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, nëpunësit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqës;
d) më shumë se një herë;
dh) kundër dy ose më shumë personave;
e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 25
Kuptimi i bashkëpunimit
Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë
persona me marrëveshje ndërmjet tyre.