Vetëvrasja e Arif Ramës shkakton panik në qytetin e Laçit
LAÇ- Ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i një pallati në ndërtim një 62- vjeçar, baba i tre fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Laçit, kur Arif Rama është ngjitur në një pallat qëishte në ndërtim e sipër, për t’u hedhur nga kati i tretë, rreth orës 9.30 minuta të mëngjesit.
Pallati kishte dy kate banesë dhe poshtë tij dyqane, ndërsa dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje nuk e kanë kuptuar se 62- vjeçari po ngjitej atje për të kryer aktin e vetëfljimit. Ai është ngjitur me ngadalë pa rënë në sy për ndonjë veprim të tillë, ndërsa sapo ka arritur në katin e tretë në sy të dhjetëra njerëzve që kalonin në trotuarin poshtë është hedhur nga dritarja e një banese të këtij kati. Qytetarë të shumtë janë tmerruar nga skena që kanë parë, ndërsa ndihmën e parë e ka dhënë policia, e cila është njoftuar nga njerëz që e kanë parë këtë skenë tragjike.
Uniformat blu e kanë dërguar 62 -vjeçarin për në urgjencën e spitalit Laç, ndërsa mjekët i kanë dhënë ndihmën e shpejtë dhe është luftuar për ta mbajtur në jetë, por ka qenë e pamundur, pasi ai ka ndërruar jetë në duart e tyre. Disa dëshmitarë të afërt të ngjarjes janë pyetur në polici për rrethanat e vetëvrasjes së Arif Ramës, ndërsa nga ana e familjarëve të tij është shpjeguar se ai vuiante nga depresioni dhe për këtë kurohej vazhdimisht.