Genc Panozaqi dhe Sokol Kuçi do të hetohen nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Të gjitha akuzat rrinë në fuqi
VLORË- Gjykata e Apelit të Vlorës i ka ridhënë dje lirinë dy të arrestuarve për skandalin e tokave në bregdet. Ish-kreu i kthimit dhe kompensimit të pronave, Genc Panozaqi dhe ish-juristi i kësaj zyre, Sokol Kuçi, janë lënë të lirë nga qelia e tyre. Për ta gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie. Kanë qenë vetë Panozaqi dhe Kuçi, që nëpërmjet avokatëve kanë depozituar në apel kërkesat për ndryshimin e masës së sigurisë. Pas kërkesës së avokatëve mbrojtës së dy të akuzuarve, të cilët kanë kërkuar detyrim paraqitjeje dhe garanci pasurore, trupi gjykues nën drejtimin e kreut të kësaj gjykate, Alma Licaj, i është përmbajtur në vendimin e tij prokurorit të akuzës, Enrik Haxhiaj. Arrest në shtëpi si dhe garanci pasurore detyrohen tashmë ish- zyrtarët e akuzuar për shpërdorim detyre, akuzë kjo e mbetur në fuqi.
Seanca e djeshme është drejtuar nga treshja e gjyqtareve Alma Liçaj, Sashenka Jonuzi e Iliba Bezati. Ish-kreu i kthimit dhe kompensimit të pronave është përfaqësuar nga avokati Vangjel Kosta nga Tirana dhe Kuçi është përfaqësuar nga avokati Sazan Aliko. Pas kërkesës që kanë bërë avokatët mbrojtës të dy të pandehurve, ku është dëgjuar prokurori i çështjes, Enrik Haxhiraj. Në fjalën e tij prokurori i është përmbajtur akuzës së bërë në shkallën e parë, si dhe cilësuar të drejta faktet që ka parashtruar prokuroria e Vlorës. Sipas tij, në shqyrtimin e tre denoncimeve për çështjen e pronave, ka shkelje. “Tek një prej tyre mungon tërësisht dokumentacioni, nuk ka dokumente kadastrale, vendim gjykate, dhe dokumente të tjerë në nevojshëm për plotësimin e dosjeve. Tek kjo pronë ka vetën një firmë të kryeplakut të fshatit në vitin 1942, pa iu bashkangjitur aktet e tjera të nevojshme.
Fakti që zyrtarët kanë firmosur nuk i çliron ata nga përgjegjësia, për pronat e vendosura në bregdetin e Orikumit, si dhe tjetrën në zonën e rrugës transballkanike. Prokuroria ka verifikuar mungesën e dokumentacionit, tha Haxhiraj, dhe ka parë se në këto vendime ka shkelje të procedurës, ku është kryer korrespondenca me ZRRPP, por nuk është pritur përgjigjja prej saj”,- tha Haxhiraj. Ai ka vlerësuar të drejtë akuzën që iu bëhet Panozaqit dhe Kuçit, si dhe sipas tij janë të gjitha kushtet e nevojshme për të caktuar një masë sigurie. “Vepra,- tha Haxhiraj, përbën rrezikshmëri shoqërore, por vetë personat nuk përbëjnë rrezikshmëri të tillë”. Ai ka paraqitur ndryshimin e masës duke iu referuar personalitit të dy të akuzuarve, të cilët kanë ushtruar detyra publike dhe ka kërkuar për ta arrest shtëpie.
Pas vendimit të apelit, Panozaqi dhe Kuçi do të lënë masat e rrepta të sigurisë, për të vijuar më pas ndaj tyre procesin gjyqësor. Së bashku me ish- topografin Fatmir Xhema, ata akuzohen për shpërdorim detyre në kohën kur kanë qenë në zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës, për vendime të dhëna dy vjet më parë. Panozaqi dhe Kuçi nuk kanë marrë pjesë në seancën e zhvilluar në Apel. Çështja e ndryshimit të masës së sigurisë ka nisur dy ditë më parë kur janë dëgjuar avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve. Vetë këta të fundit nuk kanë marrë pjesë në seancë duke u përfaqësuar nga avokatët mbrojtës.