Depistimi ka treguar se 13 banorë të zonave naftëmbajtëse në Patos- Marinzë vuajnë nga sëmundja e kancerit
FIER- Banoret e zonës naftëmbajtëse Patos -Marinzës vuajnë nga ndotja e ambientit dhe çdo ditë duhet të përballen me rrezikun e sëmundjeve të ndryshme. Më problematiket janë banoret e fshatrave Belin dhe Zharzë ku rreth 60 për qind e popullsisë, prej shumë vitesh, po vuajnë nga sëmundje të rrezikshme për shëndetin e tyre. Sëmundja më e përhapur është ajo e karbonit në gjak por banoret thonë se shumë prej tyre janë edhe me kancer. Ata tregojnë se jeta e tyre është bërë e padurueshme pasi çdo ditë thithin ajrin e ngarkuar me helme kancerogjene. Sëmundjen e pashërueshme të kancerit e ka vërtetuar edhe një kompani e huaj nafte, cila pas një depistimi ka zbuluar se në këtë zone janë 13 banore me kancer. Ndotja shtohet edhe nga fakti që shtëpitë janë ndërtuar shumë pranë puseve. Madje një një kanal i mbushur me mbetje naftë bruto kalon përmes fshatit Zharzë duke bërë që edhe ajri përreth zonës të kutërbojë nga era e keqe.
Sipas banorëve të kësaj zone, nga derdhja e pakontrolluar e mbetjeve të naftës në lumë kanë ngordhur edhe bagëti,ose shpezë të cilat gjatë kullotjes së tyre kanë rënë në gropat e serës, të cilat edhe sot janë të hapura duke rrezikuar edhe jetën njerëzve. Banorët shprehen se kanë marrë shumë premtime këto kryesisht në kohë fushate por asnjë herë nuk është mbajtur premtimi. Lidhur me situatën e krijuar kryetari i komunës Zharëz, Taulant Grëmi, shprehet se kjo situatë nuk është e tanishme por ka vite që është trashëguar duke krijuar probleme të reja për jetën e banoreve. “Unë e kam ngritur zërin por na është premtuar që gjendja do të përmirësohet. Për këtë duhet të ketë një masterplan për pastrimin e ambientit”,- thotë Grëmi.