ELBASAN- Një zjarr ka rënë në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në fshatin Selitë të Komunës Mollas të rrethit të Elbasanit, në parcelat e mbjella me pemë frutore në pronësi të katër fermerëve të kësaj zone. Burime të policisë bënë të ditur se zjarri, i cili ka rënë në parcelat e mbjella me pemë frutore në pronën e katër fermerëve banorë të fshatit Selitë, ka djegur pjesërisht një sipërfaqe prej 1.5 hektarë, që ishin të mbjella me ullinj, kumbulla dhe arra. Gjithashtu, flakët kanë djegur edhe 50 rrënjë pemë frutore. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e zjarrit. Nga ana e policisë po punohet për zbulimin e shkaqeve të zjarrit.