Sarandë, 63- vjeçarja sëmuret me plasje
Sëmundja e plasjes ka shënuar një të prekur në rrethin e Sarandës. Mëngjesin e djeshëm, në spitalin e këtij qyteti është paraqitur një 63- vjeçare, e cila, sipas burimeve spitalore, është prekur nga plasja.
Luan Sejdini
Premte, 25 Korrik 2008 08:39:00
SARANDË- Sëmundja e plasjes ka shënuar një të prekur në rrethin e Sarandës. Mëngjesin e djeshëm, në spitalin e këtij qyteti është paraqitur një 63- vjeçare, e cila, sipas burimeve spitalore, është prekur nga plasja. E sëmura mësohet se ka gjashtë ditë me një pullë e zezë në gishtin e dorës së djathtë, por që nuk e kishte vlerësuar si plasje. Një bari i zonës i kishte parë plagën dhe menjëherë e kishte informuar për sëmundjen. Plasja transmetohet nga bagëtitë tek njeriu përmes produkteve blegtorale, si mishi, qumështi, djathi etj. Një rrezik po kaq të madh paraqesin edhe jashtëqitjet, të cilat depozitohen pranë vathës së bagëtive, por edhe vapa, e cila favorizon zhvillimin dhe përhapjen e sëmundjes përmes insekteve të shtuara në këtë stinë.
Kryeinfermieri i urgjencës, Lime Mihasi, thotë se është rasti i dytë që po mjekohet brenda këtij viti. Ndërsa bashkëshorti i të sëmurës tregon shkaqet e vërteta të prekjes nga antraksi. “Përballë shtëpisë tonë është një tufë bagëtish prej 500-600 krerësh, të cilat edhe pse kemi kërkuar të largohen nga fshati, bariu-pronar i tyre ka kundërshtuar t’i largojë. Ato janë të sëmura nga plasja dhe ky mikrob është përcjellë edhe tek gruaja ime”,- tregon bashkëshorti i të sëmurës. Vatra të tilla të sëmundjes vdekjeprurëse janë shfaqur edhe herë të tjera në rajonin e Sarandës, por dhjetëra krerë bagëti janë therur dhe groposur për të eliminuar rrezikun.
|