Erion Isai është qëlluar në orën 01.00 tre herë me një pistoletë me silenciator shumë pranë shtëpisë në lagjen Kala
Viktima jetonte vetëm pasi familja ka emigruar në SHBA. Hetim të kaluarës së tij si emigrant në Itali
ELBASAN- Ekzekutim mafioz në qendër të Elbasanit teksa një 29-vjeçar është vrarë me një plumb në gojë. Erion Isai është qëlluar tre herë me një pistoletë me silenciator shumë pranë shtëpisë së tij në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.00 të ditës së djeshme dhe policia është njoftuar nga një telefonatë anonime. Telefonuesi ka treguar se në rrugicë gjendej një njeri i shtrirë, i cili nuk lëvizte. Vrasja është mbuluar nga një mister total teksa policia nuk ka mundur që të zbulojë asnjë motiv deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Pista kryesore ku do të shtrihen tashmë hetimet është e kaluara e djalit si emigrant në Itali.
Vrasja makabre mendohet se është kryer rreth orës 01.00, kohë kur 29- vjeçari është ndarë me shokët e tij. Menjëherë efektivat e policisë kanë mbërritur në rrugicë ku edhe kanë gjetur pa jetë një djalë, i cili brenda disa minutave është identifikuar nga fqinjët aty pranë. Policia ka bëtë menjëherë bllokimin e rrugëve hyrëse në lagjen Kala si dhe ka angazhuar të gjitha postblloqet në rrugët kryesore të qytetit për të ndalur autorët. Sipas të dhënave të para, dyshohet se në shërbim të vrasjes është vënë edhe një automjet tip Benz i cili është parë të largohet me shpejtësi në një prej rrugëve kryesore të qytetit. Por kjo pistë mbetet për tu verifikuar pasi ende policia nuk ka ndonjë dyshim konkret për vrasjen e Isait, i cili nuk ka asnjë precedent dhe ishte i respektuar nga të gjithë.
Burime nga Drejtoria e Policisë bëjnë të ditur se viktima është qëlluar shumë afër me silenciator pasi askush në lagje nuk ka dëgjuar të shtëna. Rreth 100 metra larg shtëpisë së tij ishte paramenduar edhe ekzekutimi pasi 29- vjeçari ishte ndjekur në distancë nga vrasësit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja ndërsa viktimën e kanë përshkuar tre plumba. Dy prej të cilaveposhtë shpatullës së majtë nga mbrapa dhe njëplumb është qëlluar në drejtim të gojës që viktima është munduar të mbrohet nëpërmjet duarve. Pasi janë siguruar mirë për vrasjen, autorët janë zhdukur në rrugicat e errëta dhe mendohet se janë larguar nëpërmjet një automjeti që i priste në dalje të kësaj lagjeje. Mënyra sesi është kryer vrasja ka dërguar hetimet në drejtim të krimitme paramendim dhe në bashkëpunim. Madje janë hedhur dyshime edhe për një vrasje nga profesionistë për armën dhe formën e ndjekur. Pritet që nga ekspertët të interpretohet edhe plumbi në gojë që e ka bërë edhe më makabre vrasjen.
Hetuesitkanë marrë në pyetje të afërm, fqinj dhe persona që e kanë njohur dhe kanë pasur lidhje me 29- vjeçarin. Ndërkohë ekspertët kanë grumbulluar prova të tjera të gjetura në vendin e ngjarjes. Mësohet se vrasësit kanë qenë mjaft të kujdesshëm për të zgjedhur orën, armën dhe mënyrën sesi do të largoheshin. Pas ekzaminimit të kufomës nga specialistëtështë konstatuarse 29 vjeçari është ekzekutuar me pistoletë në një distancë të shkurtër. Në polici janë shoqëruar disa shtetas të cilët kanë dhënë deklarimet e kërkuara. Bazuar në prova dhe deklarime do të ndërtohet edhe puna për zbulimin e autorëve të krimit. Mendojmë se kapja e tyre është çështje kohë është shprehur shefi i Komisariatit Gjelosh Prendi.
Enigma e motivit
Fqinjët, të afërmit dhe kolegët kanë mbetur mjaft të tronditur nga ajo që ndodhi me 29- vjeçarin Isai. Shokët e tij kanë thënë se ai nuk ishte shprehur asnjëherë dhe nuk dinë të ketë pasur ndonjë sherr. Ai kishte mbaruar shkollën e Infermierisë dhe punonte në profesion në një nga spitalet e Elbasanit. 29- vjeçari ishte djalë i vetëm, motra e tij jetonte me familjen në Itali ndërsa prindërit ndodheshin në Amerikë. Enigma e kësaj vrasjeje që ka tronditur mjaft banorët e lagjes por edhe të gjithë qytetin e Elbasanit vazhdon dhe dëshmitë e fqinjëve që kanë frikë të japin emrat e tyre përforcojnë imazhin e mirë të 29 -vjeçarit, i cili më parë kishte qenë emigrant në Itali por prej disa vitesh ndodhej në Elbasan ku edhe ushtronte profesionin e infermierit. Madje, sipas këtyre dëshmive, djali në fund të verës do të largohej sërish nga vendi.
Dëshmitë
Shokët: E përcollëm deri tek rrugica e shtëpisë
Të fundit që kanë qëndruar me Erionin para se ta vrisnin kanë qenë dy shokët e tij, të cilët e kanë lënë në hyrje të rrugicës që të çonte për tek banesa dhe janë larguar. Dëshmia e tyre është konfirmuar pasi policia ka verifikuar lokalin ku edhe kanë qëndruar tre të rinjtë. Ndër provat e grumbulluara për krimin është bllokuar një telefon celular dhe janë duke u verifikuar të gjitha telefonatat që viktima ka marrë përpara se të vritej. 29- vjeçari është vrarë prapa shpine ku për tu siguruar atentatori e ka qëlluar dy herë poshtë shpatullës së majtë në drejtim të zemrës. Gjatë ekzaminimit ekspertët gjetën edhe një plumb të ngecur në gojë, i cili dyshohet të jetë pritur nga dora që Erioni ka vënë përpara fytyrës për tu mbrojtur në momentet e fundit të jetës.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar katër gëzhoja fishekësh të dala nga një armë zjarri tip pistoletë. Ekspertët kanë marrë edhe gjurmë daktiloskopike dhe mostra gjaku për të kryer prova të avancuara shkencore. Ndërsa mësohet se ka mbërritur e motra e viktimës pritet që brenda 24 orëve të vijnë edhe dy prindërit e tij nga Amerika. Ende nuk është lajmëruar vdekja dhe ora kur do të pritet të zhvillohet funerali. Tronditja ka qenë e madhe për të gjithë ndërsa shkaqet akoma tëmbuluara nga një enigmë ende e pazbardhur.