Shkurti e Zhupa janë kapur në flagrancë, vetëm pak metra larg kufirit,teksa po kalonin 4 persona për në Greqi
GJIROKASTËR- Policia kufitare e Gjirokastrës ka arrestuar dje dy persona të akuzuar për trafik klandestinësh. Skënder Shkurti, 36 vjeç, dhe Enver Zhupa, 23 vjeç, të dy nga Berati, janë kapur në flagrancë duke transportuar ilegalisht drejt Greqisë katër shtetas. Akti ilegal i tyre është konstatuar në orët e vona të mbrëmjes në vendin e quajtur Arrat e Badlonjës, në rrethin e Përmetit, pak kilometra larg kufirit me Greqinë. Sipas policisë, fillimisht janë kapur katër klandestinët që kërkonin të largoheshin drejt Greqisë e më vonë edhe dy shtetasit që do t’i ndihmonin ata të kalonin pa probleme kufirin.
Në deklarimet e tyre, katër shtetasit që kërkonin të kalonin në shtetin fqinj, janë shprehur se ata janë transportuar nga Berati me automjete të rastit nën vëzhgimin e Zhupës dhe Shkurtit dhe në Përmet do të përcilleshin nga këta të fundit deri në thellësi të truallit grek. Për të gjithë këtë shërbim dy të arrestuarit do të përfitonin 2000 euro. Arrestimi i tyre është kryer për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit me qëllim fitimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme ndërkohë që ky është rasti i 50-të brenda këtij viti që policia kufitare konstaton kalime ilegale të kufirit të personave të ndryshëm në drejtim të Greqisë.