KUKËS- Gjykata e Kukësit ka lejuar ekstradimin për në Zvicër të Shpend (Luan) Shalës, i cili ishte arrestuar për llogari të Interpolit. Shala është ndaluar me nëntë qershor në pikë-kalimin kufitar të Morinës nga policia kufitare e Kukësit. Gjatë periudhës 40- ditore autoritetet zvicerane të interesuara për ekstradimin e Shpend (Luan) Shalës kanë dërguar pranë autoriteteve shqiptare materialet e nevojshme për të bindur gjykatën në fajësinë e tij. Shala akuzohet se më datë 17.06.1997, në bashkëpunim me një person tjetër, kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Elmi Hoti. Ndërkohë Shala kërkohej edhe nga Gjermania dhe Luksemburgu për vepra të rënda penale. Por duke qenë se Zvicra ishte shteti i parë që bëri kërkesën për ekstradim, gjykata vendosi dërgimin e të arrestuarit atje.