Sinjalistika e re në kryeqytet pritet të përfundojë brenda pak ditësh dhe policia ka marrë masat për zbatimin e saj
TIRANË- Drejtuesit e mjeteve do të tolerohen vetëm një javë nëse shkelin shenjat e sinjalistikës rrugore, të cilat përfundojnë së vendosuri pas tri javësh në rrugët e Tiranës. Për herë të parë rrugët e kryeqytetit do të jenë të pajisura me tabela të cilat do të orientojnë drejtuesit e mjeteve. Sipas Krenar Ahmetit, shefit të komisariatit të policisë rrugore për Tiranën, shenjat sinjalistike do të evitojnë aksidentet, ndërsa do të lehtësojnë edhe punën e punonjësve të policisë. “Vendosja e një tabele do të zëvendësojë policin rrugor i cili duhej të qëndronte 24 orë për të orientuar shoferët”,- tha Ahmeti.
Pas tri javësh kur të jenë vendosur në të gjitha rrugët e Tiranës tabelat me shenjat e sinjalistikës, drejtuesit e mjeteve do të përballen me ndëshkime nëse nuk i respektojnë ato. Por në fakt, java e parë me shenja sinjalistike, nuk do t’i ndëshkojë vrullshëm shkelësit. Ky tolerim, sipas Krenar Ahmetit, do të bëhet vetëm javën e parë pas përfundimit të vendosjes së tabelave në rrugët e kryeqytetit, pasi mjafton që drejtuesit e mjeteve të mësohen me to. Ndodh që një drejtues mjeti qarkullon disa herë në ditë në të njëjtën rrugë dhe kështu është mësuar të lëvizë pa praninë e tabelës. Pas vendosjes së saj ai është i detyruar të respektojë për të cilën ka vetëm një javë kohë të mësohet me praninë e tabelës që tregon shenjën e sinjalistikës rrugore. Pas një jave ndaj shkelësit, policia rrugore e cila ka konstatuar mosrespektimin e tabelës do të marrë masë administrative ndaj tij.