Flakët kanë dëmtuar ditën e djeshme disa hektarë tokë, qindra pemë si dhe bagëtitë e fshatrave të Vlorës
VLORË- Dy vatra zjarri kanë dëmtuar dje sipërfaqe të tëra kullotash, bimë ulliri si dhe një stan bagëtish në fshatrat Kocul dhe Trevllazër të Vlorës. Zjarri ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në pronat e disa shtetasve, ndërsa po shqyrtohen shkaqet dhe gjetja e autorëve. Vatra e parë e zjarrit është parë në fshatin Kocul, pikërisht në vendin e quajtur Turbull. Flakët shumë shpejt kanë përfshirë sipërfaqe kullote e më pas bimë ulliri, ndërsa vetëm ndërhyrja e zjarrfikëses ka bërë të mundur normalizimin e situatës.
Largësia me stacionin ka ndihmuar përhapjen e flakëve në zonë të gjerë dhe pas fikjes së zjarreve ka rezultuar se janë dëmtuar tërësisht nga djegia një mirë rrënjë ullinj si dhe hektarë të tërë kullotash. Një nga më të dëmtuarit ka qenë 59- vjeçari Perlat Malaj, banor në këtë fshat, i cili ka deklaruar se i janë dëmtuar nga djegia 100 rrënjë ullinj, 100 rrënjë pemë frutore qershi si dhe 800 metër tub plastikë për vaditjen e pemëve. Dëmtime të tjera kanë pasur edhe banorë të zonës. Po në orët e pasdites një tjetër zjarr ka rënë në fshatin Peshkëpi.
Si pasojë e flakëve janë djegur pesë ha kullota si dhe stani i bagëtive të një 65- vjeçari. Personi i dëmtuar, Isuf Mukaj, ka deklaruar se i janë djegur brenda stanit 110 kokë bagëti. Burimet e policisë pohuan se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të zjarreve si dhe identifikimin e autorëve, mbi të cilët rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me zjarr.