AKSIDENTE
TIRANË- Mungesa e kushteve të sigurisë fizike në punë ka shkaktuar gjatë ditës së djeshme dy të vdekur në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit bëhet e ditur se në dy vende të ndryshme, por për të njëjtën arsye mungesën e kushteve të sigurisë fizike në punë kanë gjetur vdekjen dy persona. “Rreth orë 2:00 pas mesnatës së ditës së djeshme, shërbimet Komisariatit të Policisë Nr. 6 janë njoftuar se është gjetur i vdekur një shtetas në një pallat në ndërtim e sipër në vendin e quajtur “Unaza e Re” vetëm pak metra larg Doganës.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor me qëllim zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje. Ku nga hetimet paraprake është arritur në konkluzion se viktima e gjetur në katin e parë përmbys dhe pa jetë është shtetasit 67 vjeçar Baftjar Xhelal Koxha, lindur në Burrel dhe banues në “Unazën e Re”, i cili punonte prej kohësh si roje në këtë objekt ku po ndërtohej një pallat”-thuhet nga policia. Sipas tyre, nga deklarimet e dëshmitarëve që kanë gjetur trupin dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes thuhet se shkaku i vdekjes së 67 vjeçarit Koxha ka qenë, humbja e ekuilibrit të tij gjatë lëvizjes nëpër godinën që po ndërtohej, ku si pasoj ka rënë nga një lartësi prej 3 metrash dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme pranë Spitalit Ushtarak në kryeqytet, është dërguar i vdekur shtetasi 44 vjeçar Arben Haki Leçka me banim në Kamëz, i cili gjatë ushtrimit të detyrës së tij si hidraulik ka gjetur vdekjen si pasoj e mos marrjes së masave të sigurisë fizike gjatë kryerjes së punimeve të ujësjellësit në fshatin Çekrez. “Dje aty rreth orës 09:00 të mëngjesit policia e shteti është njoftuar nga personeli i Spitalit Ushtarak, se pranë ambienteve të tyre ka mbërritur shtetasi Arben Leçka 44 vjeç i vdekur.
Me marrjen e këtij informacioni, struktura e kontrollit të territorit të Komisariatit Nr. 6 dhe e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit kanë shkuar në vend ngjarje për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje”,-thuhet në njoftimin e policisë së shtetit. Sipas tyre, nga veprimet hetimore dhe nga marrja e deklarimeve të dëshmitarëve okularë dhe personat me të cilët Leçka ishte duke punuar, ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e goditjes në kokë të kapakut të betonit gjatë punës që po kryente në riparimin e rrjetit të ujit në pusetën e fshatit Çekrezë. “Shtetasi Haki Leçka me detyrë hidraulik në Bashkinë Kamëz të kryeqytetit, në momentin e hyrjes së tij në një puset buzë rrugës në fshatin Çekreze për riparimin e rrjetit të ujit i bie mbi kokë kapaku i betonit të pusetës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda që nuk mundi t’i mbijetoj”,-thanë burimet e policisë.
Sipas tyre, të aksidentuarit iu dha ndihma e para nga kalimtarët e rastit, por si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra në kokë ai nuk mundi të jetonte dhe gjeti vdekjen gjatë rrugës së transportit për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas policisë edhe vdekja e tij ka ardhur si pasoj e mos krijimit dhe marrjes së masave të sigurisë fizike gjatë punës. Për të dy këto raste, sipas policisë, materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ku priten të merren në pyetje personat përgjegjës që kishin në ngarkim punonjësit tashmë të vdekur.