PROKURORIA
TIRANË- Zyra e kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë në përpilimin e projektligjit të ri, që solli shumë debate mes dikasterit të peshores dhe organit të akuzës, ka parashikuar në këtë draft ligjor edhe kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, që me hyrjen në fuqi të këtij drafti mandati do të jetë i kufizuar në 5 vjet me të drejtën e riemërimit.
Por, vendosja e këtij paragrafi në nenin 7 të ligjitekzistues për “Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme” edhe pse është pritur pa kundërshtime nga radhët e prokurorisë, pritet të ngjallë debate pasi mandati i Ina Ramës edhe pse e emëruar këtu e 9 muaj më parë numërimi i mandatit të saj fillon që nga data e daljes së Fletores Zyrtare me ndryshimet e reja Kushtuese të bëra në janar të këtij viti. Sipas përpiluesve të këtij projektligji, thuhet se me parashikimin e kufizimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në Kushtetutë, duhej patjetër që ky ndryshim të bëhet edhe në draftin e ligjor për “Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”. “Ndryshimet kushtetuese të bëra në janar të këtij viti, edhe pse me debate të shumta mes pozitës dhe një pjesë të opozitës u miratuan në Kuvend.
Në këto ndryshime në atë kohë u përfshi edhe kufizimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, që deri ditën e ndryshimeve kryeprokurori kishte mandat të përjetshëm, pa kufizime. Ndërsa, me shtimin e paragrafit në Kushtetutë të kufizimit të mandatit, Ministria e Drejtësisë me anë të zyrtarëve të kodifikimit pranë këtij dikasteri ka përpiluar disa ndryshime në ligjin për “Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, duke parashikuar kështu në paragrafin e dytë të nenit 3 dhe nenit 7 ekzistues kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm”,-thuhet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkaq, sipas projektligjit që tashmë dikasteri i drejtësisë e ka shpërndarë për observacione dhe që “Shekulli” ka siguruar një kopje, thuhet në Nenin 3, “në nenin 7, pas pikës 1, shtohen tre paragrafë me këtë përmbajtje: 11. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë punë jo më pak se 10 vjet në sistemin e drejtësisë, dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale. 12. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet me të drejtë riemërimi.”-thuhet në draft ligjin që do të diskutohet sërish, edhe pse kjo pikë mendohet se nuk është kundërshtuar nga palët e interesuar.
Ndërkohë, mësohet se pas daljes në Fletore Zyrtare të ndryshimeve Kushtetuese të bëra në janar dhe me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve do të filloi numërimi i mandatit të kryeprokurores Ina Rama e cila u emërua në nëntor të këtij viti në krye të këtij institucioni të pavarur, por që prej disa kohësh Qeveria me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë dëshiron ta fus nën ombrellën e saj.
Sipas paragrafit të tret të projektligjit për mandatit të kryeprokurores, parashikohet edhe e drejta e riemërimit dhe detyra që mund të kryej kryeprokurorja pas mbarimit të mandatit 5 vjeçar. 13. “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai mund të emërohet në funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit të Përgjithshëm”.