Shkodër, Hysni Shpuza është vrarë mëngjesin e djeshëm pas një konflikti të nisur dy vjet më parë për të bijën
SHKODËR- Konflikti i nisur rreth dy vjet më parë për një lidhje dashurie i ka marrë jetën një 45- vjeçari mëngjesin e djeshëm në Shkodër. Hysni Shpuza është vrarë nga vëllai i djalit që donte t’i merrte të bijën për nuse. Një vrasje kjo pothuajse e paralajmëruar pas një sërë goditjesh me armë, kërcënimesh por edhe neglizhence nga ana e institucioneve shtetërore. Shpuza ka mundur që të shkojë i gjallë në spital por ka gjetur vdekjen disa orë më pas si pasojë e gjashtë plumbave të dala nga arma e Besmir Dhapirajt.
Vrasja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.45 në tregun e shitjes me shumicë të frutave e perimeve në lagjen Dobraç të Shkodrës. Hysni Shpuza ka qenë në ambientete tregut kur, nga një distance e afërt, është qëlluar 6 herë me pistoletë nga një person, i cili është larguar me shpejtësi. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndonëse është dërguar me shpejtësi në spital, ka gjetur vdekjen në sallën e operacioni rreth dy orë pas ngjarjes. Policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht pjesëtarë të familjes Dhampiraj, e cila prej kohësh ishte në konflikt me familjen Shpuza.
Sipas policisë, pas kryerjes së veprimeve, si autor i vrasjes dyshohet se është shtetasi Besmir Dhampiraj 21 vjeç, i cili akoma nuk është kapur prej saj. Nisur nga ky deklarim i policisë, del se motivi i vrasjes së 45- vjeçarit Hysni Shpuza është një sherr i nisur më shumë se dy vjet më parë, në qendër të të cilit është vajza e viktimës.
Konflikti
Në mars të vitit 2006 Hysni Shpuza ka deklaruar se djemtë e familjes Dhampiraj i kishin hyrë në shtëpi për ta grabitur por hetimi ka zbuluar të kundërtën. Sipas policisë, nuk ishte një grabitje por një lidhje mes Albert Dhampirit dhe vajzës së Hysni Shpuzës, atëherë 15 vjeçe. Familja Shpuza nuk e pranonte këtë lidhje por pas pak ditësh vajza largohet për në shtëpinë e Dhampirajve. Familja e saj ndërhyn dhe e rikthen në shtëpi. Pas kësaj Hysni Shpuza kanoset e qëllohet me armë ndërsa ndodhej brenda në lokalin e tij, nga Albert Dhampiraj.
Përsëri Hysni Shpuza bën denoncim dhe Albert Dhampiraj shpallet në kërkim. Katër muaj më pas qëllohet me armë zjarri duke u plagosur në dorë e krah, vëllai i viktimës, Hamza Shpuza. Dhe për këtë ngjarje akuzohen vëllezërit Albert, Ermal e Bledar Dhampiraj. Ndërkohë Albert Dhampiraj dhe vëllezërit e tij e kishin “rrëmbyer” vajzën e Hysni Shpuzës, e cila jetonte në shtëpinë e tyre dhe i kishte ndërprerë lidhjet me familjen e saj. Pak kohë më pas vajza rikthehet në shtëpinë e prindërve edhe pse vazhdonte të pohonte vendosmërinë e saj në lidhjen me Albert Dhampirin.
Dy muaj më pas vëllezërit Dhampiri arrestohen nga policia dhe akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë. Por në gjykatë prokuroria tërheq akuzën e vrasjes dhe vëllezërit Dhampiri lirohen pak kohë më pas. Gjatë procesit gjyqësor ndaj vëllezërve Dhampiraj, vajza e viktimës së djeshme ka mohuar që të ishte i dashuri i saj dhe vëllezërit e tij autorë të ngjarjeve të ndodhura.