Kreu i Emergjencave Civile bën bilancin e situatës dhe publikon se tashmë nuk ka më rrezik për zjarre të tjera
TIRANË- Jugu i Shqipërisë është shkrumbuar këtë verë nga zjarret e shumta. Kjo zbulohet nga të dhënat zyrtare të Emergjencave Civile ku nga 1050 raste zjarresh, pjesa më e madhe e tyre ka rënë në zonat si Sarandë, Gjirokastër, Delvinë, Vlorë, Himarë. Por tashmë me kalimin e stinës së verës, kreu i Emergjencave Civile, Fredi Olli, e ka cilësuar situatën si të përmirësuar.
Edhe pse nuk ka bërë me dije sipërfaqen totale të shkrumbuar, Ollii ka konsideruar të suksesshme ndërhyrjet në shpëtimin e parqeve kombëtare. Sipas tij, sipërfaqet e djegura janë kryesisht shkurre, ullinj dhe dru frutorë, kunë një pjesë të mirë të rasteve zjarri ka qenë i qëllimshëm. Duke krahasuar situatën e një viti më parë, Olli tha se përgjatë këtij viti ka pasur 400 raste më pak zjarresh, falë masave parandaluese.
Megjithëse mjetet logjistike të zjarrfikëseve shqiptare lënë për të dëshiruar, Olli ka konsideruar të suksesshme kryerjen e 980 operacioneve të kryera në mbarë vendin në shuarjen e zjarreve. Sipas tij, nga të gjitha rastet e zjarreve të evidentuara këtë vit, vetëm 95 prej tyre kanë shkaktuar dëme ekonomike dhe mjedisore.
Ndërsa rezultojnë të djegura vetëm 12 banesa. Një ndihmë të madhe në luftën kundër zjarreve, drejtoria e emergjencave ka pasur edhe nëpërmjet ndërhyrjeve nga ajri me mjete të specializuara, ku gjatë këtij viti janë kryer rreth 32 operacione në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier, Korçë dhe Dibër. “Në këtë situatë më të përmirësuar që kemi pasur këtë vit kanë ndikuar edhe marrëveshjet e bashkëpunimit me Italinë dhe Greqinë për përballimin e situatave emergjente. Vlen të përmendet ndihma e Departamentit të Mbrojtjes Civile të Italisë për operacionet e kryera në të gjithë territorin e vendit dhe kapacitetet e vëna në dispozicion”,- tha dje Olli.