Agjentët e Antidrogës bllokojnë 4.2 kilogramë heroinë dhe arrestojnë tre shtetas maqedonas. Dyshime për trafik drejt Italisë
Të akuzuarit për trafik thanë se po vinin në Shqipëri për ndeshjen. Droga e fshehur nën gomën rezervë
TIRANË- Trafikimi i drogës nëpërmjet linjës Maqedoni-Shqipëri-Itali vazhdon të funksionojë.Ky fakt është provuar dy ditë më parë, kur policia shqiptare arrestoi në Durrës tre maqedonas me 4 kilogram drogë, e dyshuar e llojit heroinë. Rreth orës 19:20 të ditës së shtunë, drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuan pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit organizoi një operacion të koduar “Tifozët” i cili u finalizua me arrestimin e tre shtetasve maqedonas dhe me sekuestrimin e 4.2 kilogram heroinë. Isein Nasufi, 41-vjeç, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase, Dritan Gjura, 33-vjeç, me profesion mësues, dhe Madrit Istrefi, 30-vjeç, të tre lindur e banues në Strugë në Maqedoni, janë të prangosurit e operacionit të koduar“Tifozët”.
Policia
Ndeshja Shqipëri-Suedi duket se ka sjellë edhe tre “tifozë” të kamufluar maqedonas. Por ndryshe nga tifozët e tjerë, tre maqedonasit ishin të “ngarkuar” me më shumë se katër kilogram drogë e llojit heroinë.
Isein Nasufi, 41-vjeç, Dritan Gjura, 33-vjeç, dhe Madrit Istrefi, 30-vjeç, po udhëtonin me një automjet tip “Golf” nga Maqedonia drejt Tiranës. Ndërkohë që policia e shtetit, në rrugë operative kishte siguruar informacione se tre tifozët maqedonas po trafikonin një sasi droge. Menjëherë, forca të shumta policie zbarkuan në Durrës për t’u zënë pritë të dyshuarve.
Këta të fundit nuk u kanë bërë rezistencë forcave të policisë në momentin që ata dhanë urdhër për ndalimin e tyre. Krejtësisht të qetë, ata i janë bindur policisë e cila filloi të ushtronte kontroll të imtësishëm në automjetin me të cilën po udhëtonin maqedonasit. Sapo kanë hapur bagazhin dhe kanë hequr gomën rezervë, forcat e policisë zbuluan dhe një qese të tejmbushur me drogë. Menjëherë ndaj tre personave u mor masa e arrestit dhe ata u dërguan në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës.
Hetimi
Policia dyshon se ka të bëjë me një rrjet të konsoliduar të trafikimit të drogës nga Maqedonia drejt Italisë, ndërsa linja tranzite ishte Shqipëria. Burime nga policia thanë se dyshohet se tre të arrestuarit janë trafikantë të rafinuar. Ata dyshohet të kenë trafikuar edhe më parë drogë, nëpërmjet së njëjtës linjë.Ndërkohë që policia u sekuestroi të prangosurve sasinë e lëndës narkotike prej 4.2 kilogram si dhe 30 mijë euro e 6 mijë franga zvicerane.
Gjithashtu atyre iu bllokua dhe mjeti tip- Golf e katër celularë. “Ende nuk është sqaruar nëse tre të arrestuarit kanë bërë ndonjë ndalesë gjatë rrugës Maqedoni-Durrës, pasi atyre iu gjet një shumë e konsiderueshme parash në momentin e arrestimit. Mbetet për t’u sqaruar edhe destinacioni i saktë i drogës së bllokuar. Deri më tani pista kryesore në të cilën po hetojmë është trafikimi i drogës drejt Italisë”,- thanë për “Shekullin” burimet policore.
Polici maqedonas “kapoja” i trafikut
E ndërsa tre maqedonasit e arrestuar mohojnë të jenë “pronarë” të drogës, e cila u gjet në automjetin e tyre, grupi hetimor i cili po merret me këtë çështje deklaron se bëhet fjalë për një rrjet të trafikimit të drogës. Hetuesit po shtjellojnë linjën e trafikut, duke hedhur dyshime se tre të arrestuarit janë anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut.
Madje, policia u shpreh se nga hetimet e para dyshohet se 41-vjeçari Isein Nasufi, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase mund të jetë kapoja i këtij trafiku. “Policia dyshon se polici kufitar maqedonas të jetë dhe kapoja i këtij rrjeti, pavarësisht se ai e ka mohuar lidhjen me drogën e sekuestruar. Policia shqiptare do të lidhet me homologët maqedonas për të sqaruar dhe pozicionin e policit të tyre. Por dyshohet se ai mund të ketë trafikuar edhe më parë drogë, por nuk është zbuluar nga kolegët e tij”- thanë për “Shekullin” burimet nga policia.
Ndërkohë që nga ana tjetër policia mohon faktin se policë të kufirit shqiptar të jenë të implikuar në këtë trafik. Burime nga policia thanë se nuk ka të dyshuar në radhët e policisë kufitare të cilët mund të jenë të implikuar në trafikun e drogës e cila u sekuestrua pasditen e së shtunës. Grupi hetimor ende nuk e ka të qartë kalimin e tre maqedonasve në kufi, ndërsa mbanin në bagazhin e automjetit të tyre katër kilogram drogë. “Mund të mos jetë kryer kontroll i imtësishëm i automjetit në kufi si nga pala maqedonase ashtu edhe nga ajo shqiptare, por kjo nuk do të thotë ende për policinë se blutë e kufirit janë të implikuar. Ndërsa ende nuk është zbardhur nëse automjeti ishte furnizuar me drogë në Maqedoni apo gjetkë”,- thanë më tej për gazetën burimet policore.
TË ARRESTUARIT
Isein Nasufi, 41-vjeç, lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase.
Dritan Gjura, 33-vjeç, lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me profesion mësues.
Madrit Istrefi, 30-vjeç, lindur e banues në Strugë-Maqedoni, me arsim 8 klasë.
Të marrë në pyetje veç e veç, secili prej maqedonasve ka deklaruar për policinë se kishte ardhur për të parë ndeshjen Shqipëri-Suedi
Të arrestuarit me drogë i hedhin fajin njëri-tjetrit
TIRANË- “Kam ardhur në Shqipëri për të parën ndjeshen, nuk e dija se në makinë kishte drogë”. Ky ka qenë justifikimi i përdorur nga secili prej maqedonasve, gjatë deklarimeve të tyre para oficerëve të policisë kriminale. Fill pas arrestimit të tyre, tre maqedonasit janë marrë në pyetje veç e veç nga agjentët e Antidrogës.
Burime nga policia thanë për “Shekullin” se asnjëri prej tyre nuk ka mbajtur përgjegjësi për katër kilogramët e heroinës që u gjetën në bagazhin e automjeti me të cilin po udhëtonin tre personat Isein Nasufi, Dritan Gjura dhe Madrit Istrefi. “Ata janë përpjekur që në mënyrë indirekte t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit, duke mos mbajtur përgjegjësi për drogën që ndodhej në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin. Megjithatë të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime të hollësishme pasi kërkuan avokat”,- thanë për gazetën burime nga Policia e Shtetit.
Trafikantë apo tifozë?
Erdhën për të parë ndeshjen, për të trafikuar drogë apo një rrugë e dy punë? Policia është e bindur se tre maqedonasit ndodheshin në Durrës për të trafikuar drogë, pasi një sasi prej katër kilogram heroinë u gjet në automjetin e tyre. Por ndryshe kanë deklaruar tre të arrestuarit të cilët kanë thënë në polici se ishin tifozë të skuadrës së Shqipërisë, dhe do të shkonin në stadiumin “Qemal Stafa” për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Suedi.
Por në fakt policia tha se ata nuk i janë afruar fare Stadiumit dhe janë kapur kur ndodheshin ende në Durrës ndërsa ndeshja ishte duke u zhvilluar. Secili prej tyre ka rrëfyer në polici se nuk kishin dijeni për më shumë se 4 kilogramë heroinë, që u gjet poshtë gomës rezervë në bagazhin e automjetit. Burime nga policia thanë se automjeti drejtohej nga mësuesi Dritan Gjura, ndërsa polici i kufirit maqedonas, Isein Nasufi, dhe Madrit Istrefi ishin pasagjerë.
Të arrestuarit
Tre maqedonasit e arrestuar aktualisht ndodhen në qelitë e drejtorisë së policisë së Tiranës. Për të hetuar trafikun në të cilën dyshohet se janë përfshirë tre maqedonasit është vënë në lëvizje edhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Ndërkohë që policia shqiptare e cila bëri arrestimin e maqedonasve pret të marrë sa më shumë informacione rreth tyre nga homologët maqedonas. “Arrestimi i tre maqedonasve u krye pasditen e së shtunës dhe fundjava ka bërë të vështirë lidhjen zyrtare me policinë e Maqedonisë, për të siguruar sa më shumë të dhëna dhe dyshime të tyre rreth tre të arrestuarve.
Pritet që ditën e hënë policia shqiptare të lidhet me homologët e saj maqedonas për të bashkëpunuar me qëllim identifikimin dhe kapjen e të tjerë personave të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të drogës linjë e cila dyshohet të përdoret Maqedoni-Shqipëri-Itali” thanë për “Shekullin” burimet policore.
SHITJA
Dyshimi, shkëmbimi i heroinës në Durrës
TIRANË- Policia shqiptare dyshon se tre maqedonasit e arrestuar mund të kenë bashkëpunëtorë shqiptarë. “Droga dyshohet se do t’iu dorëzohej të tjerë personave në Durrës të cilët dyshohet të ishin shqiptarë dhe më pas ata do të bënin kalimin drejt Italisë”, -thanë për “Shekullin” burimet policore. Policia shtoi se po kryhen hetime për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një rrjet trafiku mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Por nuk përjashtohet mundësia që vetë maqedonasit e prangosur të dorëzonin drogën në destinacion. Policia tha se aktualisht ka të qartë se tre të arrestuarit janë të implikuar në trafikimin e dështuar të katër kilogramëve drogë, pasi ndaj tyre ka prova të mjaftueshme. Por ende nuk është zbardhur mekanizmi që ata kanë përdorur dhe do të përdornin për të marrë e trafikuar drogën. Aktualisht me këtë çështje po punon drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, ndërsa pritet dhe bashkëpunim nga policia Maqedonase.