Banorët: Na kanë lënë pa ujë të pijshëm, për të furnizuar fshatin e kryetarit të këshillit bashkiak. Ky është krim
FUSHË-ARRËS- "T'i heqësh ujin e pijshëm qytetarëve të tu,nuk ështëthjesht korrupsion , por krim". Kështu shprehen banorë të qytetit të Fushë -Arrësit në rrethin e Pukës, të cilët prej rreth 4 muajsh kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Janë kryesisht banorë të pallateve të ndërtuara në këtë qytet që para viteve ‘90, ata që po vuajnë pasojat e vendimeve të këshillit bashkiak të qytetit të tyre, apo dhe të personave të veçantë, të cilët nuk ngurojnë t’i akuzojnë me emër.
Aktualisht, banorët e këtij qyteti furnizohen vetëm 1 orë e gjysmë në ditë me ujëtë pijshëm, ndërsa në katet e larta të pallateve që nuk i kalojnë pesë të tillë, uji mungon. Sipas banorëve, shkak për këtë situate tepër të rëndë për ta , është vendimi i këshillit bashkiak të bashkisë Fushë Arrës për të shpërndarë ujin nga tubacioni kryesor dhe nënjë pjesë të fshatit Fushë Arrës si dhe në fshatin Nushaj që tashmë është lagje periferike e këtij qyteti.
Shefqet Sadrija është një banor i vjetër i Fushë Arrësit, i cili rrëfen për gazetën "Shekulli" se ujësjellësi aktual që furnizon me ujë qytetin është ndërtuar para më shumë se 30 vjetësh dhe uji, deri para rreth katër muajsh ka funksionuar me orar, por ka qenë i bollshëm dhe koha e furnizmit me të ka qenë më e gjatë, rreth 2 orë në vakt. Një vendim i këshillit bashkiak aktual ka bërë që nga tubi kryesor në veprën e marrjes në Krrab, uji të devijohet dhe të furnizohet me të një lagje e fshatit Fushë Arrës , ku jeton kryetari i këshillit bashkiak dhe lagjja Nushaj.
Kjo ka sjellë pakësim të ujit në qytet, veçanërisht tek banorët e pallateve që nuk kanë asnjë mundësi tjetër furnizimi me ujë të pijshëm. Ndërkohë, ajo lagje e fshatit Fushë Arrës që furnizohet me ujin e qytetit, ka patur ujë më përpara dhe këtëe përdor për vaditje. Madje, kjo lagje me rreth 50 banorë që ka marrë ujin e rreth 9000 banorëve të qytetit, ka patur investime në ujësjellësin e vet. "Kjo që po ndodh këtu është tepër e rëndë. Kryetari i bashkisë së Fushë Arrësit dhe Këshilli Bashkiak po iabëjnë të padurueshme jetën banorëve në këtë qytet.
Pas 1990 e deri tani janë dhënë shuma të mëdha lekësh, mbi 1 miliard lekë të vjetra për ujësjellës e ne nuk kemi ujë, pasi nuk është ndërruar e shtuar asnjë metër tub ujë. Devijimi i ujit nga vepra e marrjes për t’ia dhënë lagjes ku jeton kryetari i këshillit bashkiak, që e përdor për vaditje , është krim. I bëj apel kryeministrit të vendit të na lejojë të vetëmbrohemi prej atyre që i mbron mazhoranca, ose të vërë para ligjit ata që abuzojnë me pushtetin që kanë”,-thotë Sadrija për “Shekullin”.
Thuhet se së shpejti do ndërtohet ujësjellësi i ri, për të cilat janë hedhur shumë lekë, por në burimin e Krrabit nuk ka më ujë". Këtëshqetësim e përcjellin dhe banorë të tjerë të qytetit të Fushë Arrësit. Ukë Elezi, i cili jeton në një prej pallateve të këtij qytetit, tregon se dikur kanë patur ujë , por tani ai u mungon së tepërmi. " Kjo ndodh se uji i pijshëm devijohet pa ardhur në pusetën qëndrore që e shpërndan në qytet, devijohet nga linja kryesore dhe u jepet fshatrave. “Uji përdoret për vaditje, ndërsa ne nuk kemi ujë për të pirë. Kjo është e tmerrshme".
Ndoc Mejdani, një tjetër banor i qytetit të Fushë Arrësit që jeton në katin e pestë të një pallati , tregon se uji mungon plotësisht . "Unë punoj roje dhe e mbush ujin tek shkolla , pasi në shtëpi nuk kemi. Nuk vjen asnjë pikë në katin e pestë ku banoj unë. Burimi kryesor në Krrab ka shumë ujë, por thuhet se atë ia kanë dhënë të tjerëve duke e kaluar në drejtime të tjera. Po kështu thuhet se janë dhënë fonde dhe do rregullohet situata, por nuk dihet se kur ". Sadrije Demuçaj, banore në këtë qytet rrëfen se ajo bashkë me bashkëshortin kanë punuar për ndërtimin e ujësjellësit para mbi 30 vitesh për të sjellë ujin e pijshëm në qytetin e Fushë Arrësit .
Kjo pasi ujësjellësi është ndërtuar me punë vullnetare në atë kohë, dhe kanë punuar gjithë qytetarët , ndërsa sot vuajnë mungesën e ujit. Banorët e qytetit të Fushë Arrësit shprehen mosbesues ndaj investimit të ri të pritshëm dhe sipas tyre edhe po filloi, ai rrezikon të mbetet pa përfunduar, pasi shpejt janë zgjedhjet politike dhe në këto situata, mundësitë për abuzime shtohen.
LULASHI
Këshilltari: Pse e kundërshtova vendimin
FUSHË-ARRËS- Mirash Lulashi, anëtar i këshillit bashkiak të bashkisë Fushë Arrëstregon se ai është prej atyre që ka kundërshtuar vendimin e këtij këshilli për furnizimin e një pjese të fshatit Fushë Arrës dhe të lagjes Nushaj me ujë nga tubacioni kresor që furnizonte qytetin. “Por shumica bën punën e vet dhe këshilli ka miratuar këtë propozim, duke marrë dhe vendimin përkatës, që mendoj se është në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar pasi dëmton drejtpërdrejtpjesën më të madhe të komunitetit që përfshihet në këtë njësi të qeverisjes vendore e që jeton në pallatet e qytetit të Fushë Arrësit.
Janë shpuar tubat dhe uji shkon majtas e djathtas dhe pse me vendim të qeverisë nuk lejohet devijimi i ujit nga vepra e marrjesnëpër tubacionin kryesor shpërndarës. Nuk është marrë uji në burimin kryesor , në veprën e marrjes , por në tubacionin shpërdarës duke sjellë pakësim të ndjeshëm për qytetin. Në këtë situatë,dikush ka ujë 24 orë, e dikush asnjë pikë"-thotë këshilltari Lulashi për “Shekullin”.
Dedë Përshpali pohon për “Shekullin” se është gabuar me heqjen e ujit në verë
Nënprefekti: Ujësjellës i ri për Fushë Arrësin
Nënprefekti i Pukës, Dedë Përshpali, pohon se është njohur me problemin e ujit të pijshëm dhe ka bërë verifikimet e veta mbi këtë rast."Jam njohur me problemin përmes bisedave të qytetarëve, ndërsa zyrtarisht nuk kam patur ndonjë ankesë, as nga komuniteti dhe as nga institucionet që e kanëpër detyrë të mbrojnë interesat e komunitetit. Kjo nuk më ka penguar të bëj verifikimet përkatëse dhe problemi qëndron. Ujësjellësi aktual që furnizon me ujë të pijshëm banorët e Fushë Arrësit është i amortizuar, pasi është ndërtuar shumë vite më parë.
Megjithatë, një vendim i këshillit bashkiak të bashkisë Fushë Arrës kabërë që me ujë të furnizohet dhe një pjesë e fshatit Fushë Arrës dhe lagjia Nushaj. Kjo ka sjellë probleme në furnizimin me ujë të banorëve të qytetit, veçanërisht atyre që jetojnë në pallate. Mendoj se vendimi i këshillit bashkiak nuk duhet të zbatohej këtë verë, duhet të kishin duruar e jo të shkaktoheshin probleme tek qytetarët e pallateve”,-thotë nënprefekti.
Sipas tij, ka përfunduar procesi i tenderimit të një pjese të projektit për rikonstruksionine këtij ujësjellësi, një investim ky prej 40 milionë lekësh të reja i shtetit shqiptar. “Kjo do të thotë që të shtohen burime tjera dhe uji të jetë i bollshëm për gjithë bashkinë e Fushë Arrësit , gjithmonë në rast se nuk ka shpërdorime të tij duke e përdorur për vaditje”,-përfundon Dedë Përshpali.
REAGIMI
Kryebashkiaku: Vendimi për ujin është i drejtë
Kryetari i bashkisë Fushë Arrës, Ndue Paluca, i kontaktuar me telefon nga gazeta "Shekulli" lidhur me problemin e ujit të pijshëm shprehet se: "vendimi është marrë nga këshilli bashkiak dhe është i drejtë, pasi dhe ata që kanë marrë ujë nga tubacioni kryesor, janë banorë të bashkisë Fushë Arrës, edhe pse jetojnë në fshat apo lagje periferike. Të gjithë janë njëlloj dhe kanë të drejtë të furnizohen me ujë të pijshëm.
Nuk është asgjë e kundraligjshme, pasi përfituesit janë banorë të kësaj bashkie. Është tenderuar faza e parë e ujësjellësit të ri dhe punimet do të fillojnë shumë shpejt dhe këtu përfshihet ndryshimi i linjës së amortizuar dhe ndërhyrjet në depot kryesore, rikontruksioni i linjave brenda qytetit e vendosje matësash. Kjo do shtojë sasinë e ujit për qytetarët. Në fund të muajit nëntor të këtij viti mendohet të përfundojë 8 km linjë e re ujësjellësi",- thotë Paluca .