Miku i Idrit Dokles, Bujar Gashi, është arrestuar nga policia e Trentos. Akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës
TIRANË- Arrestohet në Itali, një prej anëtarëve të “Bandës së Durrësit”. Bujar Gashi, 36-vjeç, lindur e banues në Durrës, është arrestuar dy ditë më parë në Trento të Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gashi akuzohet për disa vepra penale si “vrasje në bashkëpunim”, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “krijimit të organizatës kriminale”.
Lajmin për arrestimin e një prej anëtarëve të bandës më famëkeqe të Durrësit, e ka bërë të ditur ditën e djeshme Policia e Shtetit e cila deklaroi se kishte marrë njoftim nga homologët italianë se i kërkuari është prangosur në Trento. Bujar Gashi rezultonte person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, në datën 21 korrik të viti 2008 ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg” pasi akuzohet për një sërë veprash penale.
Arrestimi
Emri i Bujar Gashit rreth tri vite më parë më parë si anëtar i “Bandës së Durrësit”, dhe që kishte marrë pjesë në një vrasje. Bëhet fjalë për vrasjen e Dritan Dishës e ndodhur në vitin 2000 në Shenavlash të Durrësit. Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai, aktualisht të arrestuar dhe Bujar Gashi. Ndaj këtij të fundit, gjykata vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” në mungesë, në muajin korrik të këtij viti, ndërsa policia e shpalli atë person në kërkim ndërkombëtar.
Burime nga policia thanë se Gashi kishte mundur të largohej disa kohë më parë nga Shqipëria për t’i shpëtuar prangave,ndërsa shumë anëtarë të bandës ku ai bënte pjesë po prangoseshin një e nga një. Kështu Gashi strehohej në Itali, ku duket se lëvizte lirshëm ndërsa emri i tij u zbulua nga prokuroria si i implikuar në një vrasje e pjesëmarrës në organizatë kriminale. Policia italiane njoftoi homologët shqiptarë se kishte ndaluar Gashin dhe pas verifikimeve rezultoi se ai figuronte në listën e personave të kërkuar ndaj dhe e dërguan në qeli. Nga ana tjetër, drejtësia shqiptare ka nisur menjëherë procedurat për të kryer ekstradimin e anëtarit të bandës famëkeqe të Durrësit.
Akuzat
Ngjarja për të cilin akuzohet Bujar Gashi ka ndodhur në vitin 2000 në Shenavlash të Durrësit. Në bazë të hetimeve të prokurorisë rezulton se Tan Dishës i zunë pritë disa anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Mësohet se Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi ishin angazhuar për të vrarë Dritan Dishën. Indrit Taullai qëndroi 500 metra para anëtarit që ishte caktuar për të qëlluar mbi Dishën, me qëllim që të sinjalizonte ardhjen e “shënjestrës”. Dyshohet se pas sinjalit të Taullait e cila ishte një e shtënë pistolete, autorët afrohen dhe dallojnë dritat e një automjeti.
Menjëherë ata kanë hapur zjarr mbi automjetin me të cilin po udhëtonte Tan Disha, duke bërë që makina të përfundojë në një kanal. Më pas ata i janë afruar sërish automjetit duke zbrazur edhe një karikator automatiku prej të cilit Disha mbeti i vdekur në vend. Për këtë vrasje prokuroria akuzon si autorë të dyshuar katër persona mes tyre dhe të arrestuarin e dy ditëve më parë në Itali, Bujar Gashin, i cili pritet të ekstradohet për tu përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në gjykatën e Krimeve të Rënda.
I arrestuari
Bujar Gashi, 36 vjeç, i lindur në Kukës dhe banues në Durrës, akuzohet për kryerjen e veprave penale të vrasjes në bashkëpunim të Dritan Dishës dhe akuzën e "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".