Leonard Qafa është qëlluar me armë nga persona të paidentifikuar teksa po udhëtonte me makinën e tij
TIRANË- Qëllohet me armë nga persona të panjohur një 35-vjeçar. Atentati ndodhi dy netë më parë në rrugën “Mehmet Brocaj” në kryeqytet kur Leonard Qafa, lindur në Fushë-Arrëz dhe banues në Tiranë është qëlluar me armë zjarri.
Sipas policisë Qafa ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tip-BMË ngjyrë gri, me targa CP 142 DJ, kur është plagosur me armë zjarri në krahun e majtë, nga persona të paidentifikuar. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Efektivat e komisariatit të policisë nr.3 të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë për të zbardhur rrethanat. Policia mori në pyetje dëshmitarët e ngjarjes të cilët deklaruan se nuk i kishin parë personat që qëlluan me armë.
Ndërkohë që pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, policia mori në pyetje të plagosurin i cili dyshohet të jetë dhe “shënjestra” e atentatit. Mësohet se Leonard Qafa ka deklaruar para oficerëve të policisë kriminale se nuk i kishte parë autorët. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, kur një plumb i ka depërtuar në krah. Menjëherë ka ndaluar mjetin dhe është transportuar me urgjencë në spital. Forcat e policisë nisën menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët.
Burime nga policia thanë për “Shekullin” se dyshohet që 35-vjeçari të ketë pasur më parë një sherr banal mes dy personave të cilët mund ta kenë qëlluar atë. Megjithatë ngjarja është ende nën hetim dhe pritet të zbulohet motivi dhe autorët e kësaj plagosjeje. Policia i ka kaluar prokurorisë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” në ngarkim të autorëve të paidentifikuar.