TIRANË- Policia arreston një 16-vjeçar, vodhi me dhunë një të ri. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Institutin Bujqësor në Kamëz kur Xh.B, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz, dyshohet se në bashkëpunim me një moshatarin e tij i kanë vjedhur nga qafa një varëse floriri një shtetasi.
Ky i fundit mbërriti menjëherë pranë ambienteve të komisariatit të policisë nr.5, ku denoncoi vjedhjen. I dëmtuari ka treguar para oficerëve të policisë kriminale të dhënat e dy adoleshentëve të cilët me dhunë i tërhoqën nga qafa varësen e floririt dhe më pas u larguan me shpejtësi, pa i dhënë kohë atij të mbrohej. Forcat e policisë u vunë menjëherë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur dy autorët.
Pas hetimeve të para efektivat blu mundën të zbulonin emrat e dy adoleshentëve të cilët dyshohet se vodhën një qytetar. Pas disa orësh forcat e policisë bënë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve ndërsa ka shpallur në kërkim 16-vjeçarin tjetër. Xh.B, dyshohet se ka realizuar vjedhjen, ndërsa i dëmtuari deklaroi se ishte pikërisht ai që i vodhi me dhunë varësen nga qafa teksa ai po lëvizte në këmbë.