Librazhd, Shaqir Kuka është dënuar me gjobë për abuzimet e kryera me investimin në qendër të qytetit
ELBASAN- Ish- kryetari i bashkisë së Librazhdit, Shaqir Kuka, është dënuar nga gjykata me gjobë pasi akuzohet për shpërdorim të fondeve publike. Këtë herë “abuzimi” nuk është kryer në ndonjë investim publik por në ngritjen e një memoriali. Çështja ndaj ish-kryebashkiakut ka nisur për investimin e bërë nga bashkia për bazamentin e memorialit të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit i vendosur në një nga sheshet e qytetit të Librazhdit rreth dy vjet më parë.
Në ceremoninë për përurimin e këtij memoriali ka marrë pjesë presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu. Mësohet se çështja në ngarkim të Kukës ka filluar disa kohë më parë por vetëm ditët e fundit gjykata e ka dënuar me një gjobë prej pesë milionë lekësh. Kuka akuzohet se nuk ka ndjekur procedurat e tenderimit në realizimin e këtij memoriali ku kontribuoi edhe pushteti vendor.
Përjetësimi i dy figurave të nderuara të Librazhdit me anë të një memoriali përgjatë Bulevardit kryesor të qyteti të Librazhdit në një lulishte në qendër u mirëprit nga qytetarët e Librazhdit por në atë kohë nuk u bë e ditur shuma që u vu në dispozicion nga Bashkia Librazhd, e cila realizoi bazamentin. Vendi i përzgjedhur është përcaktuar në bazë të përmasave të memorialit.
Në një sipërfaqe dhjetë metra e gjatë dhe pesë e gjerë, të veshur me mermer ku janë stampuar vargje të dy poetëve, janë vendosur dy buste. Dy koka që tregojnë dhimbjen dhe njëkohësisht krenarinë. Autori i këtij memoriali, Sadik Spahija, ka punuar për katër muaj deri në përfundimin e tij. Ky memorial ka kushtuar shtatë milionë lekë.