Kukës, Hakik Selimaj është plagosur me thikë nga bashkëfshatari i tij pas grindjes për një pronë në fshat
KUKËS- Konflikti për zonat krommbajtëse ka shkaktuar viktimën e parë në fshatin Surroj të rrethit të Kukësit. Hakik Selimaj, 45 vjeç, me profesion mësues është plagosur rëndë me thikë nga bashkëfshatari i tij Selman Sina, rreth 50 vjeç, i cili është arrestuar më pas nga policia. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Surroj. Burime të policisë së Kukësit bëjnë të ditur se motiv i krimit ka qenë një konflikt në mes viktimës dhe agresorit për një zonë krommbajtëse në Truall të Surroit.
Sipas policisë, viktima dhe agresori kanë qenë të ndikuar nga alkooli kur ka ndodhur krimi. Arrestimi i autorit është bërë dy orë pas kryerjes së krimit në shtëpinë e tij në fshatin Surroj. Gjithnjë sipas policisë, autori i krimit pas marrjes në pyetje pranon se ka zhvilluar debate dhe është përleshur me viktimën, por sipas tij ai nuk mban mend se ka therur bashkëfshatarin e tij.
Burime të policisë së Kukësit kanë bërë të ditur se autori i krimit, Selman Sina, ka qenë në shtëpinë e bashkëfshatarit të tij Xhafer Oka. Ai ka ftuar në shtëpinë e tij edhe mësuesin Hakik Selimaj. I zoti i shtëpisë, Xhafer Oka, i njohur nga policia si person me precedentë penalë u ka servirur të ftuarve raki. Hetuesit pohuan se të tre këta persona kanë konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli. Bëhet e ditur se sherri ka filluar që në shtëpinë e Okës dhe ka pasur si objekt një zonë krommbajtëse në Truall të Surroit, ku agresori dhe viktima pretendonin për pronësinë e tokës ku gjendej kromi.
Debatet në mes të Selman Sinës dhe Hakik Selimajt janë zhvilluar edhe pas daljes nga shtepia e Okës. Por kësaj radhe debati ka degjeneruar në sharje dhe më pas me kacafytje në mes njeri tjetrit. Në një moment Selman Sina ka nxjerrë, njërën prej thikave që mbante me vete dhe ka goditur disa herë bashkëfshatarin e tij Hakik Selimaj duke i shkaktuar atij plagë të renda.
Ndërkohë që autori i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes, i plagosuri është transportuar me urgjencë për në spitalin e Kukësit. Sipas policisë, viktima ishte në gjendje tejet të dehur saqë per disa kohë nuk kishte perceptuar as dhimbjet nga plagët e rënda që kishte në trup. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar edhe forca të shumta të policisë së Kukesit, megjithatë arrestimi i Selman Sinës është bërë pa ndonjë rezistencë në shtepinë e tij në fshatin Surroj, rreth dy orë pas kryerjes së krimit.Pas marrjes në pyetje ai ka pohuar se është grindur deri në përleshje me viktimën, por sipas tij ai nuk mbante mend se e kishte plagosur bashkëfshatarin e tij. Policia ka bllokuar edhe dy thikat, ku njëra prej tyre ishte përdorur nga autori i krimit për të realizuar plagosjen e bashkëfshatarit tij.
Në spitalin e Kukësit por edhe në të gjithë qytetin nuk është gjetur gjak i grupit B-. Kërkohet ndihmë në Kosovë
Jeta e Selimaj në rrezik për mungesë të gjakut
Mjeku kirurg Fitim Shini, i cili ka kryer operacionin e të plagosurit thotë se gjendja e tij është shumë e rënda dhe me pak shpresë për jetën. Sipas kirurgut Shini, i plagosuri është paraqitur me hemorragji si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë me mjete të mprehta. Ndërkohë që i plagosuri kishte pësuar dëmtime të mëdha në stomak dhe pankreas. Burime spitalore kanë bërë të ditur se ka qenë mjaft problem sigurimi i gjakut për të plagosurin, pasi ai kishte një grup gjaku të veçantë B negative.
Me këtë grup gjaku në Kukes ishin të identifikuar vetëm katër persona, njëri prej të cilëve kishte kaluar sëmundjen e hepatitit dhe nuk lejohej që ai të dhuronte gjak. Nga tre personat e tjerë të identifikuar është paraqitur vetëm njëri prej tyre, por edhe atij i ka rënë të fikët gjatë dhurimit të gjakut kështu që ka qenë i pamundur dhurimi. Për të shpëtuar jetën e të plagosurit janë vënë në radhë më pas rreth 60 efektivë të policisë, por pas realizimit të testeve, asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar me atë grup gjaku.
Për këtë arsye i është kërkuar ndihmë spitalit të Prizrenit dhe spitalit gjerman të KFOR-it, por edhe këto dy spitale nuk kanë disponuar sasira gjaku me grup B negative. Sasia e gjakut më pas është siguruar nga motra e viktimës dhe një person i identifikuar me këtë grup gjaku të cilët kanë dhënë sasira gjaku jashtë çdo norme të lejuar. Hakik Selimaj është mësues në fshatin Surroj. Ai është i vetmi mësues me arsim të lartë në shkollën e fshatit dhe jep lëndën e historisë e gjeografisë. Në vitin 1992-1996 ai ka kryer detyrën e kryetarit të komunës Surroj.
Konflikti për kromin, ngjarje e paralajmëruar
Mungesa e ligjeve, apo moszbatimi i tyre për sa i takon mineraleve në përgjithësi ka shkaktuar viktimën e parë nga konfliktet për pronësinë e tokës ku po nxirret minerali, megjithese pasuritë nentoksore janë pasuri e shtetit.Por deri tani është lënë në mëshirë të fatit shfrytëzimi i mineralit të kromit. Pas fillimit të kërkimeve për krom nga një kompani kanadeze në zonën krommbajtese të Truallit dhe Kalimashit, dhjetëra familje nga këto fshatra i janë sulur fushave të kromit duke gërmuar me kazma, por edhe më lëndë plasëse në kërkim të mineralit. Ndërkohë që banorë të fshatit Kalimash po shfrytëzojnë edhe galeritë e ish-minierës së Kalimashit duke rrezikuar jetën. Minerali i kromit grumbullohet nga fshatarët dhe më pas u shitet firmave që disponojnë licensa për tregtinë e kromit.