Vrasja/ Rrok Lukë Pjetri kërkohej për vrasjen e bashkëfshatarit të tij Lazër Toni vitin e kaluar
LEZHË – Përfundoi në vetëvrasje rrethimi prej disa orësh i banesës së Rrok Lukë Pjetrit. 80-vjeçari e shkrehu armën ndaj vetes, pasi kishte vrarë më parë bashkëshorten e tij në hyrje të katit të parë të shtëpisë. Forcat e RENEA-s vetëm pas këtij veprimi kanë hyrë në banesë duke gjetur trupin e pajetë të 80-vjeçarit. Vetëvrasja ndodhi mbrëmë rreth orës 23:15 minuta.
Disa orë më parë, Rrok Lukë Pjetri, i cili ndodhej në kërkim për një vrasje të kryer një vit më parë, vrau gruan e tij, ndërsa kjo e fundit hyri në shtëpi. Nuk dihet nëse gruaja hyri në banesë për të negociuar me të shoqin që të vetëdorëzohej apo plumbat ndaj saj ishin për një arsye tjetër. Rrethimi i banesës së 80-vjeçarit u bë pas informacioneve që morën uniformat blu se rreth orës 18:00 ai ishte kthyer në shtëpi, pas mbi një viti arrati.
Por, policia hasi në rezistencën me armë të Pjetrit. Burimet zyrtare u shprehën se frika për të shtënë ndaj të moshuarit lidhej me faktin se nuk dihej nëse në banesë kishte apo jo persona të tjerë. Pas mbërritjes së forcave të RENEA-s, si ndihmë për policinë e Lezhës, filluan negociatat, të cilat nuk kanë përfunduar, pasi, sipas burimeve zyrtare, 80-vjeçari ka hyrë në shtëpi dhe ka qëlluar mbi veten, duke i dhënë fund odisesë së arratisjes së tij dhe kërkimit, disa orë pasi kishte vrarë gruan.