Katër e-maile kërcënuese dhe ofenduese i janë dërguar Berishës dhe Arben Imamit. Prokuroria nis verifikimin
TIRANË- Katër letra që përmbanin në brendinë e tyre sharje dhe kërcënime për kryeministrin Berisha kanë alarmuar të gjithë shtetin. Në këto letra kishte sharje edhe për familjen “kryeministrore” por deri tani as policia dhe as prokuroria nuk kanë mundur që të gjejnë njeriun që i ka dërguar me postë elektronike. Njeriu që po shfaqet çdo ditë në ekranet e shqiptarëve duke i ftuar të denoncojnë, nuk ka nguruar aspak që të denoncojë vetë në prokurori personin që i ka denoncuar aferat e tij.
Burime nga prokuroria pohuan nisjen e hetimeve për këtë çështje duke shtuar se kanë filluar veprimet e prokurorisë në terren për zbardhjen e letrave kërcënuese të adresuar në e-mailin e shefit të kabinetit të kryeministrit Sali Berisha, Arben Imami. “Prokuroria e Tiranës, konkretisht seksioni i vrasjeve, prej dy javësh ka regjistruar një procedim penal, me akuzat e kanosjes; shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe shefit të kabinetit të qeverisë së tij, Arben Imami.
Shkak për këtë fillim të procedimit penal, është bërë kallëzimi i ardhur nga zyra e juridike e kryeministrisë, të cilët kanë dorëzuar kallëzimin penal në prokurori bashkë me kopjet e e-maileve (letrave me postë elektronike) të ardhura në mënyrë elektronike në adresën zyrtare të shefit të kabinetit të kryeministër, Arben Imami”,- thuhet nga burimet e prokurorisë. Ky kallëzim, sipas akuzës, është verifikuar paraprakisht bashkë me provat e dorëzuara në prokurori dhe pas verifikimit të kryer, hetuesit kanë arritur në përfundim se në letrat e ardhura në adresë elektronike të shtetasit Arben Imami, ekzistojnë elementë të veprave penale të kanosjes; fyerjes për shkak të detyrës dhe shpifjes për shkak të detyrës.
Mësohet gjithashtu, se me regjistrimin e procedimit penal, prokurori i çështjes ka zbarkuar në zyrën e shefit të kabinetit të kryeministrit Berisha, Arben Imami, duke e marrë në pyetje dhe me urdhër të institucionit që ai drejton ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha këtyre letrave apo emaileve fyese e kërcënuese të ardhura në adresën e tij.
“Prokurori i çështjes, i shoqëruar nga oficeri hetues, kanë marrë në pyetje në cilësinë e të dëmtuarit shtetasin Arben Imami, duke e pyetur për problemet që ai mund të ketë me ndonjë person apo dyshimet që ai mund të ketë për dërguesin”,- thuhet nga burimet e organit qendror të akuzës. Gjithashtu, konfirmohet nga këto burime se pritet në ditët në vazhdim me dëshirën e tij të pyetet në cilësinë e të dëmtuarit edhe kryeministri Sali Berisha, për dyshimet që ai mund të ketë për dërguesin.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se dërguesi nuk ka mjaftuar vetëm me një e- mail, por ka dërguar në adresë të shefit të kabinetit të kryeministrit katër letra kërcënuese dhe fyese, fyerje këto sipas akuzës të ngritura mbi bazën e shpifjeve për vetë kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Ndërkohë, prej dy javësh, hetuesit e institucionit të akuzës janë lëshuar në kërkim të kompjuterit dhe vendit nga janë nisur katër e-mailet e dërguara në adresën zyrtare të shefit të kabinetit Imami, adresë e cila figuron e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave.
Mësohet se në adresë e-mailet e publikuara në faqen e zyrtare të qeverisë janë dërguar një sasi jo e vogël e mesazheve, ku katër prej tyre janë cilësuar si të rrezikshme, pasi brenda tyre shkruhej materiale kërcënues dhe fyese në adresë të kryeministrit Berisha, familjes së tij dhe shefit të kabinetit të qeverisë Imami. Sipas këtyre burimeve, letrat janë shkruar me dialekt nga veriu.