Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:39:04

Lexoni versionin Print

Denoncimi, gjyqtari filmohet duke marrë ryshfet

Kryetari i Gjykatës së Matit dorëzon pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kasetë filmike ku gjyqtari Vesel Bako është filmuar duke marrë ryshfet.

Flamur Vezaj
Diel, 12 Tetor 2008 09:52:00

Kreu i gjykatës së Matit ka akuzuar vartësin se ka marrë para. Gjyqtari: Nuk kam marrë para, është një mashtrim

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Matit dorëzon pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kasetë filmike ku gjyqtari Vesel Bako është filmuar duke marrë ryshfet. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të këshillit, të cilët konfirmuan se me denoncimin e këtij fakti pranë KLD-së, ky institucion ka nisur zyrtarisht fushatën antikorrupsion në radhët e gjyqësorit.

Sipas njoftimit për shtyp të nisur nga zyra e zvkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, kaseta filmike me regjistrimin e gjyqtarit Bako duke marrë ryshfet kundrejt “drejtësisë” që ai do të japë në shqyrtimin e një procesi penal, është dorëzuar gjatë ditës së djeshme nga kreu i Gjykatës së Matit, ku është kërkuar nga prokuroria verifikimi i ligjshmërisë së kësaj kasete. “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e fakteve dhe hetimin e të dhënave mbi një shqetësim zyrtar raportuar pranë KLD-së ndaj gjyqtarit me inicialet V.B”,- thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas këtyre burimeve, inspektorati i KLD-së, si një pjesë e veprimtarisë ligjore, puna e të cilit konsiston në verifikimin e ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve në vend, ka administruar një kasetë filmike në të cilën pretendohet se gjyqtari V.B. është regjistruar duke marrë ryshfet. “Materiali është depozituar pranë KLD-së nga kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, mbi pretendimet e ngritura dhe siguruar nga përfaqësues të avokatisë pranë këtij rrethi”,-thuhet në njoftimin zyrtar të zvkryetarit Spahiu.

Gjithashtu, mësohet se me kërkesë të këshillit, është urdhëruar verifikimi i ligjshmërisë së veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit Vesel Bako, mbi baza ankimi konkret dhe njëkohësisht, i është nisur për kompetencë materiali i depozituar në këshill, prokurorisë së Përgjithshme për një hetim më të thellë të çështjes për të konkluduar në lidhje me fillimin ose jo të procedimit penal.

Ndërkohë, “Shekulli” ka kontaktuar me gjyqtarin Bako, i cili ka pretenduar se të gjitha këto akuza dhe pretendime për filmime duke marr ryshfet, janë ngritur dhe trilluar nga një klan mafioz, interesat e të cilëve janë cenuar në zbatimin e drejtë të ligjit nga ana e gjyqtarit Bako. “Nga data 1 deri 8 tetor kam qenë gjyqtar i gatshëm pranë Gjykatës së Matit ku unë punoj.

Gjatë kësaj kohe, është depozituar një kërkesë nga prokuroria për përjashtimin e gjyqtarit Rexhep Karaj nga një çështje penale, ku si palë mbrojtëse ka qenë avokatja Suzana Hoti (Basha). Me marrjen në dorë të kësaj kërkese, më është kërkuar nga avokatja Basha në komunikim të drejtpërdrejtë dhe me telefon që mos ta përjashtojë gjyqtarin Rexhep Karaj nga çështja. Kërkesë kjo që ka vazhduar deri në atë pikë, që një orë para shqyrtimit të kësaj kërkese më datë 8 tetor më ofrohen para por unë nuk kam pranuar duke u shprehur se do të respektoj vetëm bazën ligjore. 30 minuta para fillimit të seancës gjyqësore, avokatja Basha ka shkuar në zyrën e kryetarit të Gjykatës Mat, duke pretenduar se kishin një kasetë filmike ku unë isha filmuar muaj më parë duke marrë ryshfet. Kam kontestuar këto pretendime duke kërkuar shikimin e pamjeve filmike dhe menjëherë kam dhënë dorëheqje, e cila nuk më është pranuar nga kryetari i Gjykatës.

Pas kësaj, kam bërë një kallëzim penal ndaj avokates Suzana Hoti (Basha) për kanosje dhe shpifje për shkak të detyrës. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo person që ndaj personit tim hedh baltë dhe do t’i shkoj kësaj çështjeje deri në fund”,-tha gjyqtari Bako mbrëmë gjatë komunikimit me “Shekullin”. Ndërsa, e kontaktuar me telefon, avokatja Suzana Hoti (Basha) nuk pranoi të flasë, duke mjaftuar vetëm me fjalët “unë nuk kam gjë me gjyqtarin Vesel Bako dhe nuk kam dorëzuar asnjë kasetë kundër personit të tij”.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML