AKSIDENTI/ Bilanc tragjik mbrëmjen e së dielës në segmentin nacional Korçë-Pogradec, pas një aksidenti të ndodhur
KORÇË- Përgjaket segmenti nacional Korçë-Pogradec. Dy të vdekur dhe një i plagosur në gjendje shumë të rëndë për jetën është bilanci tragjik i aksidentit automobilistik të ndodhur mbrëmjen e së dielës vetëm katër kilometra larg qytetit të Korçës. Viktimat rezultojnë të jenë kunata, ndërsa i plagosuri ende nuk është identifikuar, ndërsa ndodhet në spitalin rajonal të Korçës.
Ngjarja
Rreth orës 20:00 të mbrëmjes, një automjet tip “Benz” në të cilin ndodheshin si pasagjere Aishe dhe Tefta Xhemollari u përplas me një fadromë. Aksidenti ndodhi pranë fshatit Lumalas, përgjatë aksit rrugor Korçë – Pogradec. Mësohet se fadroma ka qenë në kahun e kundërt, ndërsa errësira e natës nuk përbënte një ndihmë për drejtuesin e “Benz”-it, i cili ka frenuar kur ishte shumë afër mjetit tjetër, pasi nuk mundi ta dallojë më parë. Megjithatë, frenimi nuk arriti të shmangë përplasjen fatale që çoi në vdekjen e Aishes dhe Teftës, kunata me njëra-tjetrën. Dy gratë mësohet se ishin banore të fshatit Novoselë të rrethit të Korçës. Por policia nuk ka arritur të identifikojë shoferin e automjetit, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe është në gjendje kome.
Hetimi
Megjithëse ngahetimet e para, burimet zyrtare u shprehën se fadroma që ishte në kah të kundërt është shkak për aksidentin, policia vendosi që ekspertizën e vendit të ngjarjes ta kryejë mëngjesin e së hënës për shkak se nuk favorizoheshin nga errësira e natës. Një gjë e tillë ka bërë që edhe rezultatet për shkakun e aksidentit të shtyhen për më vonë, megjithëse qenia e fadromës në kahun e kundërt, errësira dhe shpejtësia e automjetit shihen si arsyet kryesore të tragjedisë.
Problemet
Aksi rrugor Korçë-Qafë-Plloçë, për shkak të rikontruksionit të tij, ka shumë muaj që përbën një problem për të gjithë drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që aksidentet nuk kanë munguar. Përveç rrugës, e cila më së shumti është krejtësisht e prishur, jashtë të gjitha standardeve për udhëtim, në këtë aks mungon sinjalistika. Shumë mjete të rënda punojnë përgjatë këtij segmenti, duke e bërë edhe më të vështirë qarkullimin në aksin që lidh juglindjen me pjesët e tjera të Shqipërisë.